DURRËS- Policia e Durrësit informoi sot se ka zbardhur ngjarja e ndodhur në 26 shkurt 2024 kur banesës së Ilir Koçiljas iu hodh tritol, pak ditë pasi vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka pas një sherri për parkimin, në lagjen nr. 3 në qytetin e Durrësit.

Mësohet se autori i vendosjes së tritolit është Florin Llana, i cili kamerat e sigurisë e filmuan me një kapele dhe qese në dorë, pak momente para se të vendoste tritolin në banesën e të arrestuarit për ngjarjen e rëndë. Në njoftimin e bërë, policia thekson se Llana 'është i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale në Durrës' informoi sot policia e Durrësit. 

Pasi Florin Llana hodhi tritolin u largua me një automjet të marrë me qira, drejt lagjes nr. 6. Ndërsa 'nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes' informoi sot, (3 mars 2024) policia e Durrësit.

Report Tv siguroi pamjet e dëmeve materiale në banesë të shkaktuara nga shpërthimi i 500 gramëve tritol ku në murin e jashtëm shihet mbishkrimi “endacaku vrasës”.  

Policia po vijon punën për arrestimin e tij. Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, por ende nuk dihet lidhja mes Florin Llanës dhe viktimës Halil Koka i cili u vra me thikë nga Ilir Koçilja pasditen e 14 shkurtit pas një konflikti që kishte nisur ditë më parë për parkimin pranë bllokut të apartamenteve ku jetonin.