Të hënën, 17 shkurt 2025) kreu i PD-së, Sali Berisha është thirrur në SPAK për shkak të masës ‘detyrim paraqitje’ të vendosur ndaj tij nga GJKKO, në kuadër të hetimeve për Aferën Partizani.

Vetëm 3 ditë më parë paralajmëroi një padi për ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxhën, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Prodën, të cilët i akuzoi se kishin lejuar që mbështetësit e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliajt, të ushtronin presion ndaj SPAK e GJKKO-së, Berisha po kërkon të bëjë të njëjtën gjë.

Njerëzit e Berishës po u kërkojnë militantëve demokratë që sot të zbarkojnë para dyerve të prokurorisë speciale në mbështetje të liderit të tyre, njëlloj siç u mblodhën mbështetësit e kryebashkiakut Veliaj.

“Te dashur miq.  Neser diten  e Hene ne ora 9:30 serish Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do jete ne dyert e SKAP it    Ju lutem te mobilizojme  strukturat e degeve per te qene  te gjithe aty      ..Ne ora 9:30 perpara selise SKAP-it  .Faleminderit”,- ka qenë mesazhi drejtuar strukturave të PD-së.

I bindur se ka monopolin e tubimeve në shesh, Sali Berisha më 14 shkurt dha një ultimatum kundër Edi Ramës, duke kërcënuar se, nëse ai do të organizonte një tjetër protestë para SPAK-ut, ai do të hakmerrej me dhunë:

'Mos harroni se Edi Rama dhe Erion Veliaj që organizuan në mënyrën më të turpshme, më kriminale, më të padenjë rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë, kanë kryer gjer në këtë akt, me dhjetëra akte të tjera, për të cilat edhe mund të jenë mbështetur dhe duartrokitur. Me këtë akt, Edi Rama dhe banda e tij, organizata e tij kriminale që kryeson, u dëshmuan shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ata pranojnë një drejtësi që shtrihet tek këmëbt e tyre, që u nënshtrohet atyre. Kurrë nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar, që një shtet, përveç narkoshteteve që të kenë një qëndrim të tillë, të kryejnë akte të tilla ndaj institucioneve të një pushteti tjetër, që në Kushtetutë dhe në parim ndërkombëtar duhet të jetë i pavarur. Janë tejkaluar të gjitha normat. Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty'' tha Sali Berisha

A nuk është ky një qëndrim qesharak me 2 standarde i Berishës, i cili ndryshon sipas leverdisë së tij dhe politikës së ditës? Nëse ish kryeministri e quan presion praninë e mbështetëve të Veliajt para SPAK e GJKKO-së, pse nuk mund të quhet e tillë prania e militantëve demokratë?