ELBASAN - Ardian Prenjasi, 45-vjeçari nga Prrenjasi i Librazhdit, i akuzuar nga drejtësia shqiptare për dhunën seksuale dhe homoseksuale ndaj 10-vjeçarit A.C, është shënjestruar me një akuzë të re, atë të rrëmbimit të një tjetër të mituri për trafik organesh.

Akuza më e re ndaj Prenjasit, i cilësuar si “monstra i Laprakës”, vjen nga babai i Artur Carjes, vogëlushit i cili 9 vjet më parë u zhduk në mënyrë misterioze pa lënë asnjë gjurmë, teksa shiste qese plastmasi në tregun e fruta-perimeve në Elbasan, për t'i ardhur në ndihmë familjes së tij të varfër.

Babai i Arturit, Jakup Carja, akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë Ardian Prenjasin për zhdukjen e djalit të tij. Ai shkon më tej duke thënë se, “unë dyshoj shumë te Ardian Prenjasi, sepse ai merret me trafik të miturish dhe ai mund ta ketë trafikuar djalin tim dhe për këtë unë jam i bindur që Prenjasi ka dorë në këtë rrëmbim.

Unë i drejtohem Prokurorisë, që të bëjnë një hetim më të hollësishëm për ta zbardhur këtë çështje”.

Jakupi i mbështet këto akuza me faktin që njihet prej kohësh me Prenjasin, pasi janë të dy me origjinë nga fshatra të thella të zonës së Librazhdit. “Kjo është arsyeja që unë e akuzoj Prenjasin se ai e ka ditur gjendjen time ekonomike dhe prandaj unë dyshoj se mund të ma ketë rrëmbyer djalin tim vetëm 8-vjeçar në vitin 2004”, tregon Jakupi për mikrofonin e televizionit A1 REPORT.

Babai i Arturit, Jakupi shprehet tejet dëshpëruar se drejtësia do të mund t’ia kthejë përsëri djalin e tij të humbur nëntë vjet më parë. “Nuk kam besim se një ditë do ta shoh djalin përsëri”, - shprehet babai i Arturit, i cili mes dhimbjes së humbjes në mënyrë misterioze të djalit, tregon edhe raste kur persona të papërgjegjshëm tallen në telefon, duke i thënë se djali është në Maqedoni ose në Itali.

ZHDUKJA E 8-VJECARIT ME 7 KORRIK 2004
Ishte mëngjesi i datës 7 korrik 2004 kur Ardiani, në atë kohë vetëm 8 vjeç humbi çdo gjurmë pranë tregut të fruta-perimeve në Elbasan, teksa u pa për herë të fundit nga vëllai i tij, Blerimi (në atë kohë 11 vjeç), ku të dy së bashku, të vetmen mundësi për të ndihmuar familjen kishin tregtimin e qeseve të plastmasit. Dyshimet më të forta për familjen Carja, janë që djali i tyre të jetë rrëmbyer në këtë treg me qëllim për t’u trafikuar jashtë vendit ose në rastin më të keq për trafik organesh.

DHIMBJA E VELLEZERVE PER ARTURIN
Vëllai i vogël i Arturit, Adhurimi vetëm 15 vjeç në klasën e nëntë, shprehet se e ka marrë malli shumë për vëllain e tij dhe dëshiron ta takojë përsëri. Adhurimi ishte shumë i vogël në kohën kur humbi Arturi, por ai sëbashku me motrën e vogël, kujtojnë me nostalgji rrobat që vishte Arturi, duke i palosur me kujdes ashtu si Arturi kujdesej për familjen e tij në momentin që u rrëmbye, duke punuar për të shmangur sadopak varfërinë e tejskajshme në këtë familje.

PRENJASI
Ardian Prenjasi u arrestua për rrëmbimin e një të mituri të cilin e mbajti përreth 1 ditë në banesën e tij në zonën e Laprakës, ndërsa akuzohet edhe për abuzim seksual ndaj të miturit. Tragjedia e kësja ngjarjeje vijoi më tej me rrëfimin e 45-vjeçarit, i cili deklaroi tepër ftohtësisht në polici se kishte vrarë Julian Çelën, 11-vjeçarin e zhdukur prej 30 nëntorit të 2012-ës. Prenjasi tha se Julianin, djalin e zyrtarit të SHISH-it, Skënder Çela, e kishte vrarë po atë ditë që e rrëmbeu dhe më tej e kishte mbështjellë me batanije të kuqe dhe se e kishte hedhur në koshin e plehrave. Pas kësaj dëshmie, në landfillin e Sharrës, aty ku Prenjasi thotë se pa të hidhej trupi i Julianit nga makina e plehrave, vazhdojnë kërkimet prej ditësh, por deri tani pa dhënë asnjë rezultat.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)