Ibrahim Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Këtë vit qarqet shtetërore dhe artistike të vendit si dhe Fondacioni “Kodra” pregatiten që të festojnë jubileun e 100 vjetorit të tij të lindjes. Krahas shumë veprimtartive që parapregatiten për tu zhvilluar në Durrës, në Gjimnazin jo publik “Ibrahim Kodra” janë në fazën e fundit pëegatitjet e një salle të posaçme për ekspozimin e disa veprave origjinale të Kodrës, të cilat i paraqiten publikut për herë të pare.
Drejtori i Gjimnazit Jashar Arrëza njëkohësisht edhe kryetar nderi i këtij fondacioni, në një bisedë më bëri me dije se në këtë ekspozitë që po përgatitej, do të ekspozohen vepra të shumta origjinale të Ibrahim Kodrës, mes të cilave disa kryevepra të tijat që publiku Shqiptar i sheh për herë të parë për shikuesit shqiptar. Mes tyre Arrëza tha se 20 piktura do të vinë nga Kavaja, të cilat i ka blerë në ankandet e huaja dhe koleksionet private i apasionuari pas artit të Kodrës, Genc Sinella. Pas kësaj bisede sigurisht që Kavaja ku ndodheshin këto piktura, do të ishte destinacioni i rrugëtimit tim.
Po dhe kurioziteti do ishte në rritje deri në prezantimin me veprat e mjeshtrit, të cilat ishin vertetë befasuese. Genc Sinella, me formim kulturor piktor, një burrë i fisëm në praqitje dhe bisedë, pinjoll i një familjeje kavajase, që ka nxjerrë nga gjiri i saj rreth 150 mesues dhe intelektualë të shumtë, ish mik dhe adhurues i piktorit, u tregua mjaft modest për çfarë kishte bërë gjatë viteve në emigracion në zbulimin dhe sjelljen në atdhe të veprave të rralla. Dhe si në çdo rast të tillë befasia me shfaqjen fillestare të këtyre pikturave do të ishte e madhe. Natyrisht që mbresat në vepra të tilla të shoqërojnë për shumë kohë. Në koleksionin befasues të Sinellës datojnë piktura mjaft të hershme, që të vitit 1946, kur siç edhe shprehet Sinella, dizenjot janë momentet e fillimeve të para eksperimentale të rrymës së kubizmit që po aplikonte mjeshtri Kodra.
1946, dy skicat e Kodrës, të thjeshta dhe impresionuese
Në koleksionin e Sinellës shquhen 2 skica të hershme të vitit 1946, të cilat mund të konsiderohen fat për çdo koleksionist që i zotëron. Skica të thjeshta deri në prefeksion dhe tragjike në mesazhin që përcjellin. Deri diku misterioze. Një grua që te “Nudo Vajtuese” në pak vija lapsi paraqitet një femër në një moment tragjik të jetës së saj. Mjeshtri i artit modern shqiptar na ka lënë nepërmjet këtij vizatimi të përmasave 50 x 40 cm, të gjithë tragjizmin e Medea-ve shqiptare të kërrusura nga fati tragjik që i shoqëroi ndër shekuj, që ai e pa me sytë e tij në fshatin e lindjes e kudo. Te kjo vepër, duke e kundruar me shumë kuriozitet, realisht mu duk sikur pashë rrënjët e vjetra të jetës së autorit në Ishëm, në Shqipëri e kudo. Një pyetje mbase që e shqetësonte artistin ashtu dhe këdo që e shikon e do ta shikojë ndër vite skicën është: “Ç’dhimbje tronditëse i ka rënë mbi kokë dhe e ka kërrusur kaq rëndë këtë grua fisnike”?
Enigmë që e ka tronditur edhe autorin dhe e ka shqetësuar, që nuk ka arrritur ta zgjidhë, prandaj ka nxituar që ta ngrijë në atë pozicion që nga viti 1946... Ndoshta “Mendimtari” i Roden-it, pavarësisht nga pesha e rëndë e broxit dhe e famës që ka, do të përkulej sot para saj... Këto impresione i sjell me forcë edhe skica tjetër e Kodrës. “Lopa”. Një lopë e shtrirë, atje në rrëzë të një kodrine nga ato sukat e shumta që ka edhe Ishmi i fëmijëris së tij. Dhe një gardh i ngatërruar i skicuar plot nerv. Që edhe sot i ndesh ngado në Ishëm. Një gardh fshati që i vjen në mërgim si një kumt telegrafik nga vitet e fëmijërisë së tij të trishtë, të një fëmijërie jetime të zhytur në mister. Rinia po ashtu, dhe misteret artistike, që ai i solli në jetë me vonë të deshifrueshme dhe enigmatike njëkohësisht...Dhe vendlindja e tij mbeti realisht guri i themelit të çdo vepre të Kodrës, pavarësisht se e pa shumë rrallë.
Genc Sinella, një jetë në kërkim të veprave të Kodrës, ankandeve e muzeve private
Genc Sinella, për të cilin që kur ka mbaruar Liceun, piktura mbeti një ndër përparësitë e tija në jetë, tregon me thjeshtësi se ka rreth 20 vite që ka kërkuar kudo pikturat e Kodrës. Isha 21 vjeç, kujton në bisedë, kur nisi udhëtimet në Itali. Në qytetet e Milanos, Bergamos, Peskarës. “Ndiqja galeritë prestigjioze të këtyre qyteteve dhe koleksionet private. Piktura e pare që kam blerë në Milano ishte “Vajza me lule”, të cilën e gjeta në një koleksion privat. Ajo është me dimensionet 70 x 80, kanavacë. Është një pikturë kubiste e interpretuar nga mjeshtri në mënyrë origjinale dhe mjaft mbresëlënëse në llojin e saj, pasi piktura të tilla Kodra nuk ka realizuar shumë”.
Takimi i parë i Sinellës me Kodrën
Për herë të patë Sinella e ka takuar mjeshtrin Kodra në Molize, në një fshat arbëresh, në vitin 2002. Ndodhesha aty, kujton, me mikun personal të Kodrës, Fredy Luçiani, i cili ishte njëkohësisht edhe miku im prej disa vitesh. Nga ky takim, si dhuratë i kam marrë Kodrës firmën e tij origjinale, të hedhur në një letër speciale të cilen mjeshtëri e ka përdorur për shumë punime të tija. Ajo prodhohej në mënyrë artizanale në Palermo. Firmën e hodhi në një fashë letre me dimension 50 x 20 cm. Tashmë e ruaj si gjë mjaft të çmuar. Pasi rrallë kush në Shqipëri mund ta ketë këtë fat që të koleksionojë një firmë të tillë origjinale në këto dimensione! Gjatë kësaj ekspozite Ibrahimi u muar më shumë me objektin skulpturor “4 Stinët”, që është një objekt modern madhështor nga konceptimi dhe realizimi. Në atë ekspozitë ai solli edhe një sërë seriografishë të prodhuara enkas për fshatrat arbëreshe të Molizes. Unë e adhuroja këtë figurë që punoi shumë për Shqipërinë. Në vitin 1997, kur të gjithë flisnin keq për Shqipërinë ai realizoi një vepër madhështore “Shqipëria Fantastike”. Dhe Sinella ndjehet krenar që arriti të gjejë dhe të ketë sot një koleksion të pasur të artit të Kodrës, por krenar njëkohësisht edhe për miqësinë që ndanë së bashku.
Veprat e tjera që pasuan koleksionin
Sinella, përveç 2 vizatimeve të para, sot ka një serë veparsh që i përkasin punimeve të Kodrës kryesisht nga vitet 60 të shekullit të kaluar deri në fund të veprimtarisë së tij. Ndër to ai krenohet me një kryevepër si dhe e cilëson “Fondo marina” të realizuar në vitin 1961. Dhe vijon me: “Vajza me lule”, “Vazo me lule”, “Idolo” me kitarrë, të cilin Kodra e ka realizuar në disa variante, në funksion të gjendjes së tijë shpirtërore. Sinella thotë, duke iu referuar koleksionit të vet, po ashtu edhe punimeve në përgjithësi, se Kodra qe shumë i apasionuar pas kitarrës dhe si i tillë i ka rezervuar një vend të rëndësishëm në artin e tij kitarës, flautit dhe fizarmonikës etj.
I pyetur për veprën më të mirë që mendon se zotëron nga koleksioni i Kodrës, Sinella thotë se ajo është piktura “Impresione Lirika”, një vepër e veçantë “që më impresionon”, thekson ai, sa herë që e shoh. Është një veper në vaj me përmasa 80 x 60 e punuar në kanavacë dhe e realizuar në vitin 1961. Që është një veper unike në linjën e saj. Genci thotë me thjeshtësi se e ka quajtur fat të madh që kjo pikturë i ra në dorë. “E kam blerë në Bergamo dhe për ta realizuar këtë blerje, kam pasur mbeshtetjen e pakufizuar të Fatos Fasllisë, Presidentit të Fondacionit “Kodra” dhe ekzekutorit të testamentit të tij, që më ka garnatuar origjinalitetin e veprës së Kodrës, shprehet ai.
Koleksioni i veprave të Kodrës në Kavajë pret të shtohet me një pikturë të re
Kur rri dhe bisedon me Gencin vëren se ai jo vetëm që është i apasionuar pas veprave të Kodrës, por edhe i “uritur” për piktura të tjera të Maestros. Të 20 veprat e tanishme ai pret ti shtojë me një të re. “Kam në proces blerjeje edhe një pikturë tjetër, për të cilen jemi në bisedime për ta blerë në Sardenjë”, thotë ai. Kjo do ta rrisë vlerën e kënaqësisë që më ka dhuruar dhe më dhuron çdo ditë ky koleksion që kam në Kavajë, thotë Sinella. “Janë të gjitha vepra që më japin kënaqësinë e shumëfishtë sepse kam arritur që të sjell në atdheun tim dhe të Kodrës një pjesë të mirë të fondit të pavdekshëm të tij”, thekson ai.
Kodra, jeta
Jeta e Kodrës në Tiranë në konviktin e shkollës "Naim Frashëri", është ndërprerë kur në moshën 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me njė bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai largohet nga Roma dhe ka përfunduar në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Veneëia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, bashkëpunon me poetë, shkrimtarë, kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Pikasson, pikërisht në "Konferencën Ndërkombëtare për Paqen “në Romë, në të cilën të dy së bashku kryen një hulumtim të thellë artistik. Sipas kritikëve të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim tek ai, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason, e treguan Kodrën si "Postkubisti i fundit në Evropë".