Ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv edhe gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje ekonomike, ulje të borxhit, inflacion brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe rritje të të ardhurave. Të dhënat u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se aktiviteti i sektorit privat ka qenë në rritje, pavarësisht pasigurive gjeopolitike globale.
“Ekonomia shqiptare gjatë 2025-ës ka treguar stabilitet, aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet dhe kemi një klimë biznesi që nxit investimet. PBB për tremujorin e tretë u rrit me 3.75%, normë më e lartë se mesatarja e BE dhe rajonit. Ekonomia pas periudhës post pandemisë ka pasur stabilitet në rritje, ndërkohë që po jetojmë në një situatë gjeopolitike që ka paqartësi. Inflacioni është rritur me 2.2%, normë brenda targetit prej 3% të Bankës së Shqipërisë”, tha ministrja Ibrahimaj.
Qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomik ka sjellë një ulje të borxhit publik.
“Borxhi publik është tregues kryesor për të matur stabilitetin fiskal të ekonomisë shqiptare, ka ardhur në reduktim dhe në tremujorin e tretë ishte 53.4%. Ky nivel borxhi garanton stabiltet makroekonomik, por na lë hapësira që në të ardhmen të hartojmë politika dhe stimuj fiskalë që të nxisim ekonominë e vendit”, tha ministrja.
Pozitive paraqitet edhe panorama e sipërmarrjes, me një rritje prej 17 mijë e 486 të numrit të bizneseve aktive në vend, krahasuar me vitin 2024.
“Të ardhurat buxhetore, për 11 mujorin e 2025-ës, janë në nivelin 688 mld lekë ose 6.3% më shumë se vitin e kaluar. Ky nivel të ardhurash vjen në një kuadër politik ku nuk ka pasur rritje të parasë fiskale, tregon që rritja ekonomike është pasqyruar në rritje aktivitet ekonomik të bazës dhe të gjitha përpjekjet e tatimeve për të ulur informalitetin kanë dhënë rezultatin e tyre. Numrat e bizneseve kanë ardhur në rritje, kemi pasur 17 mijë 486 biznese më shumë se në vitin 2024”, tha ministrja.
Në tremujorin e tretë të vitit, pagat janë rritur me 7.3 për qind, ndërsa pensionet kanë shënuar një rritje mesatare prej 8.4 për qind në nivel kombëtar.
"Pagat janë rritur me 7.3% në tremujorin e tretë. Pensionet janë rritur me 8.4% në nivel të përgjithshëm, remitancat kanë vijuar të jenë në rritje, 5.8% një rritje më e madhe se sa ndryshimi në kursin e këmbimit, ku leku ndaj euros ka rezultuar në nivel vjetor në 2.7%. si në terma nominal dhe real, të adhuruat nga remitancat kanë ardhur në rritje", theksoi ministrja Ibrahimaj.
Lajmi në përditësim....
Komente












Inflacioni 2,2% në Shqipëri nuk ekziston. Me çmimet aktuale duhet të jetë patjetër mbi 10%, për të mos thënë 15%. Kush jeton në Shqipëri e din shumë mirë se paratë shkojnë si lumi pa blerë ndonjë gjë të madhe.
Përgjigju