Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, do mbledh 1000000 nënshkrime nga shqiptarët që përkrahin idenë e bashkimit të «Shqipërisë Natyrale» dhe këtë listë do t’jua dorëzojë qeverive të shumta, përfshirë atë gjermane, britanike dhe austriake. Si e vlerësoni këtë nisëm?
Është një ide e mirë. Angazhime të tilla i shërbejnë vazhdimësisë së punës dhe përpjekjeve për realizimin e bashkimit të trojeve etnike shqiptare me shtetin amë. Pas Kongresit famëkeq të Berlinit, i cili i coptoi keq territoret e Shqipërisë, duke ua dhënë fqinjëve grabiqar, nuk kanë rreshtur asnjëherë përpjekjet e shqiptarëve për ribashkimin e kombit të ndarë. Platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, e cila ka bërë amanet dhe ideal të çdo shqiptari realizimin e bashkimit kombëtar, ka qënë dhe ka mbetur për një shekull e gjysëm me radhë udhërrëfyese për ne.
Forca e parë politike, pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri në vitet 90’, e cila e përqafoi dhe e bëri ide të vetme themelore të programit të saj ribashkimin e trojeve etnike shqiptare, në një shtet të vetëm, është Partia e Unitetit Kombëtar. Ka plotë 22 vjet që kjo forcë politike i është përkushtuar kësaj ideje dhe që ka siguruar arritje të mëdha. Kordinimi i punëve dhe veprimeve të disa lëvizjeve të mirëfillta politike, intelektuale dhe kombëtare andej dhe këtej kufijëve të padrejtë politik, bëri realitet krijimin e katër ushtrive çlirimtare shqiptare, sikurse ishin UÇK, UÇPMB, UÇK e shqiptarëve nën Maqedoni si dhe AKSH, të cilat me luftën e tyre të drejtë, fituan simpatinë e NATO-s dhe krijuan një realitet të ri për shqiptarët në Ballkan.
Fal këtyre lëvizjeve sot kemi një republikë të dytë shqiptare në Ballkan, sikurse është Kosova shtet i pavarur. Kështu që një pjesë e çështjes sonë kombëtare u zgjidh. Por ka mbetur ende punë për të bërë. Tashmë, krahas PUK, kanë lindur edhe lëvizje të tjera, siç është “Lista Për Shqipërinë Natyrale”, Lëvizja Vetvendosja, Aleanca Kuq e Zi, PDIU, Aleanca Popullore etj. Gjithsejcila prej tyre, pavarësisht këndvështrimeve që kanë, në fund të fundit kanë një gjë të përbashkët, punën dhe luftën për zgjidhjen në tërësi të çështjes kombëtare shqiptare. Parë nga ky këndvështrim nisma e Listës Për Shqipërinë Natyrale i shërben avancimit të idesë së krijimit të shtetit të bashkuar shqiptar në Ballkan.
Sa ka qënë kjo Shqipëria etnike dhe si, pse dhe ku bazohet fakti që shtete të tjera fqinje janë shtuar me territore shqiptare?
Copëtimi i Shqipërisë Etnike, faktikisht është rrjedhim i ndeshjes së dy civilizimeve, civilizimit të krishter dhe atij islame. Këto dy civilizime u ballafaquan përgjakshëm gjatë Krizës Lindore me epilogun tragjik të Luftës Ruso – Turke të viteve 1877-1878. Kjo Krizë u mbyllë me Traktatin e Kongresit të Berlinit, i cili ju imponua Perandorisë Osmane nga Gjermania, Franca, Anglia, Austro-Hungaria dhe Italia për interesat e Rusisë. Evropa dhe Rusia e dënuan kombin shqiptar, duke e ndarë në disa shtete për të copëzuar aftësitë dhe mundësitë e tij natyrore, gjeostrategjike, politike, ekonomike e ushtarake për zhvillimin unik të tij.
Njësia etnokulturore e gjeopolitike e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane nga mesi i shekullit XVII, ka pasur një territor rreth 120.000 km2. Kur u krijuan shtetet e Malit të Zi, të Serbisë dhe të Greqisë, Shqipërisë ju grabitën rreth 5. 000 km2 territore të banuara kryesisht me shqiptarë ortodoksë. Nga 115.000 km2 territor etnokulturore e gjeopolitike që kishte Shqipëria në kuadër të Perandorisë Osmane, me rreth 2.800.000 banorë, Traktati i Berlinit i 13 korrikut 1878 i shkëputi Shqipërisë Etnike 24.458 km2 territore, duke zgjeruar Serbinë me 10.500km2, Greqinë me 9.275 km2 dhe Malin e Zi me 4.683 km2.
Mirpo Konferenca e Ambasadorëve e Londrës nuk pranoi asnjë kërkesë shqiptare për njohjen e Shqipërisë në shtrirjen e saj etnike dhe historike dhe krijoi një “Shqipëri” më të vogël se një e treta pjesë e Shqipërisë Etnike. Me Traktatin e Londrës, Serbia u zgjerua me 34.000 km2 tokë shqiptare, Mali i Zi me 7.000 km2 shqiptarë, Greqia u zgjerua me mbi 20. 000 km2 troje shqiptare.
Kur u krijua shteti shqiptar më 28 nëntor 1912 për çfarë sipërfaqe territoriale dhe për cilat territore bënte fjalë Deklarata e Pavarësisë?
Kur u mblodh Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912, Shqipëria ishte e pushtuar prej vendeve Ballkanike. Ismail Qemali dhe burrat e shquar të atij Kuvendi e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe e formuan shtetin kombëtar, jo në emër të atij territori të ngushtë që kishte mbetur ende i lirë e i papushtuar nga shtetet ballkanike (që shtrihej në hapësirën Vlorë – Lushnje – Berat – Gjirokastër), as edhe në emër të atij shteti të cunguar që do të njihte më vonë Konferenca e Londrës e vitit 1913, shtet të cilin e trashëgojmë ne sot, por në emër të të gjitha trevave e të gjithë popullsisë shqiptare.
Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e Përkohshme që doli prej tij, nga përbërja e tyre përfaqësonin thuajse të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë e vendeve ballkanike, gjë që i dha këtij kuvendi karakterin e një Asambleje mbarëshqiptare. Midis 63 delegatëve, 16 ishin nga Kosova, nga kryeqendra e saj Shkupi dhe nga qytetet e tjera, ndërsa 7 ishin nga Çamëria. Në deklaratat që u bëri Fuqive të Mëdha qysh më 28 dhe 29 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali jo pa qëllim e vuri theksin në këtë realitet, duke deklaruar se Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i Qeverisë së Përkohshme ishin vepër e Asamblesë Kombëtare, ku morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha viseve të Shqipërisë, pa dallim feje e krahine.
Kuvendi dhe Qeveria e Përkohshme morën përsipër detyrën historike të zgjidhjes së plotë të çështjes kombëtare. Si në Memorandumin që delegacioni shqiptar i paraqiti kryetarit të Konferencës së Londrës, Eduard Grejt, më 2 janar të vitit 1913, ashtu edhe në takimet që Ismail Qemali pati me personalitetet e shteteve të ndryshme në Londër, Qeveria e Përkohshme mbrojti kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar për të patur shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. “Populli shqiptar,- thuhej në këtë dokument,- si grupimi etnik më kompakt, më homogjen dhe më i rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik kishte të drejtë të themelonte shtetin e vet të bashkuar kombëtar”.
Qeveria e Vlorës u kërkoi Fuqive të Mëdha që, krahas me Pavarësinë e plotë “t’i njiheshin Shqipërisë homogjeniteti i saj i jashtëm, kufijtë e saj natyrorë, që diktohen sa nga rrethanat etnike të kohës së sotme, aq edhe nga të drejtat që i takonin popullit shqiptar si banues i hershëm i këtyre territoreve” si dhe që t’i ktheheshin e t’i liheshin Shqipërisë të gjitha trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, Mali i Zi e Greqia, siç ishin Kosova, Dibra e trevat e tjera lindore të Shqipërisë dhe Çamëria në jug të vendit.
Kreu i Listës për Shqipërinë Natyrale përmes nënshkrimeve të mbi një milion shqiptarëve në peticionin që ka përgatitur kërkon të shfuqizojë vendimet e marra nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër? Sa i mundur është ky veprim?
Besoj se nuk është ky objekti i këtij peticioni. Nuk mund të ndryshohet një traktat ndërkombëtar, sikurse është Traktati i Londrës i 1913 me peticione, sado i madh të jetë numri i nënshkrimeve në të. Coptimi i Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 është bërë përmes një marrëveshje ndërkombëtare të pesë fuqive të mëdha të kohës. Kjo Marrëveshje, në kohën që u morë, për nga të gjithë elementët e saj përbërës ishte e pa drejtë, e pa ligjëshme, antihumane, çnjerëzore, diskriminuese ndaj një kombësie të tërë, por që në fund të fundit u miratua, u nënëshkrua, e zbatua dhe u ratifikua.
Marrëveshjet ndërkombëtare kanë fuqinë e ligjit për shtetet që janë palë në këto marrëveshje. Me fjalë të tjera, marrëveshjet ndërkombëtare krijojnë të drejta dhe detyrime për shtetet palë. Në renditjen e burimeve juridike të përcaktuara në nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, marrëveshjet ndërkombëtare janë të renditura të parat. Ka një sërë faktorësh politik dhe juridik që e bëjnë të vështirë shfuqizimin e Traktatit të Londrës. Rruga e vetme ligjore do të ishte që dy shtetet shqiptare, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës, së toku, ose veçmas, t’i kërkonin Gjykatës së Drejtësisë së OKB në Hag zgjidhjen gjyqësisht të kësaj padrejtësie.
Mirpo edhe sikur t’a bënim për vete Gjykatën e Hagës dhe t’a fitonim gjyqin, ekzekutimi i këtij vendimi gjyqësor, domethënë marrja e trojeve shqiptare Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë dhe kthimi i tyre Shqipërisë, do të bëhej kur Këshilli i Sigurimit unanimisht të binte dakort për t’a ekzekutuar këtë vendim me forcat ushtarake shumëkombëshe. Në se vetëm një anëtar i KS të OKB do të vendoste veton për të mos u ekzekutuar ky vendim i Gjykatës së Hagës, ky vendim gjyqësor do të mbeste në sirtar pa u zbatuar.
Nëse as kjo s’ka zgjidhje?
Atëhere, duhet që ti popullojmë me shqiptarë të gjitha trevat shqiptare. Kudo ku janë shqiptarët të kemi ligje të njëjta, institucione të njëjta, njësime gjuhe, programe, ekonomi të përbashkët etnike, arsim, shkencë e kulture të njejtë, thyerje kufijsh me martesa etj. Trevat tona në Çamëri ti popullojmë me ccamët që janë përzënë me dhunë. E kështu hap pas hapi ndryshimet cilësore do i bëjmë ndryshime sasiore.
(Në foto: Harta e Shqipërisë Etnike)
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 31.08.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)