Pasi avokati Idajet Beqiri hodhi akuza të forta se ka prova të pakontestueshme që floriri i Krrabës është vjedhur nga Ilir Meta, ky i fundit ka reaguar përmes Silva Cakës. Ajo ka publikuar dokumentin ku rezulton se Beqiri, kur mbante postin e kryetarit të Gjykatës së Krujës ka falsifikuar dokumente të rëndësishme që kanë të bëjnë me garancinë procedurale për dhënien e drejtësisë.

Këtë vepër e ka kryer në bashkëpunim me dy sekretarët e seancave gjyqësore, Merita Kaloshi dhe Bashkim Malaj. Për krimin e falsifikimit të dokumenteve zyrtare, rezulton se Gjykata e dënoi Beqirin me 4 muaj heqje lirie.

Në dokumentin e publikuar nga Silva Caka thuhet se Gjykata e Lartë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në një vendim që i përket datës 14.7.1986 vëren se Idajet Beqiri, gjatë periudhës prill 1980-1986 ka qenë ne detyrë kryetar i gjykatës së rrethit të Krujës. Ai ka falsifikuar procesverbalet e seancës gjyqësore me thëniet e dëshmitarëve.

“Në punë është karakterizuar nga ndjenja e mendjemadhësisë dhe egoizmit, nga tendenca për t’u dukur me arritje më të mira se të tjerët, nga puna për bujë, gjë që e çoi deri në falsifikimin e dy procesverbaleve të seancave gjyqësore”, thuhet në dokument.

E para lidhet me një procesverbal për njohjen e viteve të shërbimit në degën ushtarake të Fushë-Krujës për Ram Durmën. Për të mos shtyrë seancën, Beqiri, i cili nuk kishte biseduar me dëshmitares por i tha të shënonte në procesverbal sikur u paraqitën dhe kishte biseduar me ta.

“Në procesverbalin e seancës gjyqësore u shënuan fakte që i pandehuri Idajet mbante mend nga një bisedë që kishte bërë me dëshmitarin Muharrem Sefaj dhe me Sabah Meca për punën e kërkuesit Ram Durma në degën ushtarake”, thuhet në dokument.

Një tjetër çështje lidhet me procesverbalin e seancën gjyqësore të zhvilluar më 19.12.1985 në qytetin e Laçit për Martine Vlashin, të cilës iu njoh vjetërsia në punë. Në përfundim të gjyqit, Beqiri i tha sekretarit që të mos mbyllte procesverbalin dhe kur u kthyen në Krujë i kërkoi që të shtonte sikur ishte pyetur edhe dëshmitarja Mrike Marku.

“As ishte pyetur, as ishte thirrur në gjyq. Në procesverbal është shënuar se gjoja u paraqit dëshmitarja dhe deklaroi se në Ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit në Lac nuk dispononte dokumente të vjetërsisë në punë”, thuhet në dokument. Por Idajet Beqiri ka bërë këto veprime për të mos shtyrë seancën gjyqësore.

Para disa ditësh avokati Idajet Beqiri, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta si edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

“SPAK nuk ka pse pret kallëzim penal. Për Ilir Metën sepse për të ka prova të pakontestueshme që ka grabitur floririn e Kërrabës dhe një nga dëshmitarët kryesor është Berisha. Ai e argumenton dhe thotë se ai e ka vjedhur arin e vendit”, tha Beqiri.