Edhe tani, në 2015, kur dikush mendonte se më në fund nuk kishte mbetur më gjë për t'u habitur, surprizat nuk mungojnë. Ja si do ta përshkruaja, nga këndvështrimi im, metamorfozën e pushtetarit të sotëm: E keni parë se si fryhet brumi, kur brenda tij hedh shumë maja? Sidomos në ato furra që bukën duan ta bëjnë me hile e aplikojnë shumë këtë: Një bukë tepër e fryrë, por që brenda është plot vrima.
Do ta nisja kështu përshkrimin dhe nuk mbaron me kaq. Dëshmitarë të pavarur tregojnë se si në shumë institucione shqiptare kanë parë gjëra që nuk kujtonin të ndodhnin që nga koha e Enver Hoxhës, si për shembull një staf i tërë prej dhjetëra profesionistësh të ngrihet si me komandë në këmbë, në momentin që në sallën e mbledhjeve hyn titullari i dikasterit, frikë për të folur dhe pritje me heshtje të gjata ndërkohë që "Ai" shkruan mesazhe të pafundme në celular, pa folur për pantomima të tjera të ulëta si "gju më gju" me popullin.
Ja, pushtetari i sotëm duket shumë i impenjuar të shkruajë në celular, por ndërkohë, kush është jashtë dhe konsiderohet "popull" nuk sheh të marrë asnjë përgjigje ndaj mesazheve me probleme të dërguara. Përgjigje nuk marrin as njerëzit e thjeshtë, por as edhe institucionet e huaja partnere. Atëherë, kujt i shkruan kaq shumë e me kaq frenetizëm modeli i pushtetarit aktual? Mister.
Humbja e kontakteve me realitetin, është një tjetër dimension i preferuar. Me të hipur në shkallët e dikastereve, pushtetari i sotëm mendon vetëm një gjë: Të mbajë rreth vetes ata njerëz që i zbukurojnë realitetin. Hallet janë të mëdha kur je në drejtim të vendit, ndaj të dëgjosh ata që thonë të vërtetën është bezdi e jashtëzakonshme, ndaj, larg. Energjia "negative" që vjen përmes të vërtetave të të përditshmes shqiptare, duhet zhdukur, ndaj përreth kontaktet mbahen vetëm me gënjeshtarët, hileqarët e zbukuruesit e realitetit. Të tjerëve bllok. Stop.
Fryrja, përdorimi i një gjuhe të vrazhdë, përdorimi i shenjave të pikësimit e të formave urdhërore në shkrim, imitimi i liderit partiak, izolimi nga realiteti, rrethimi nga servilë që ua modifikojnë e zbukurojnë atë, injorimi i leximit të mediave dhe marrja përsipër e rolit të lajmësit personalisht, janë tiparet që mishërojnë shumica e pushtetarëve të rinj shqiptarë. Kjo ndodh sistematikisht, ashtu siç sistematikish ndodh që brumi i fryrë me maja, të derdhet nga dritaret e institucioneve e të shkojë në rrugë kot. Pa bërë një bukë të mirë.