Situata në veri e ka “kallur” Kuvendin e Kosovës. Gjuha e përdorur gjatë seancës së sotme ka eskaluar krejtësisht. Terma aspak korrektë janë përdorur nga pushteti dhe opozita. “Bandit”, “idiot”, “e sanksionuar nga ShBA-ja” janë vetëm disa nga mënyrat se si qeveritarët dhe deputetët përzgjodhën për t’iu referuar njëri-tjetrit.
Në Kuvend u përmend edhe sikleti, që nga akuzat në seancë u kuptua se të gjithë, pushtet e opozitë, vuajnë nga sikleti. I gjithë ky debat erdhi pas diskutimeve rreth zhvillimeve të fundit në veri, gjersa Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi e Hekuran Murati qenë ministrat e përfshirë në debat me Abelard Tahirin e Ganimete Musliun e PDK-së.
Përveç veriut, ndoshta edhe mungesa e Glauk Konjufcës ishte njëri nga faktorët e eskalimit të gjuhës. Në udhëheqje të seancës nuk qe Konjufca, kryetar i Kuvendit, duke e lënë nënkryetaren Saranda Bogujevci në drejtim, e cila në mënyrë të passukesshme u mundua t'i qetësonte gjakrat mes pushtetit dhe opozitës.
Në fakt, zhurma në Kuvend së pari i pengoi shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha Qeveria duhet ta garantojë partneritetin me ShBA-në. Madje z. Gashi e kërkoi përjashtimin e Haxhiut nga seanca për "sulmet verbale nga prapa".
“Zhurma juaj gjithmonë do të jetë më e vogël se përkushtimi ynë. Kryeministri, nga egoja, po e rrezikon partneritetin. Sot kryeministri ka për detyrë t'i garantojë partneritetin ndërkombëtar dhe ligjshmërinë në territorin e Kosovës dhe këto të dyja janë vështirë të mbahen të balancuara, por është detyrë kushtetuese e kryeministrit ta bëj këtë veprim”- tha z. Gashi.
Ministrja Albulena Haxhiu i akuzoi deputetin Gashi dhe Abelard Tahirin e PDK-së për keqinformim.
“Ju ftoj që mos me i keqinformu qytetarët. Me dalë shefi i grupit parlamentar e me thënë se nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë në veri, shumë pak është me thanë se është keqinformim. Po i inkurajoni dhunuesit, sepse kur ju shohin juve, që thoni se nuk ka prokurorë dhe gjyqytarë, atëherë mund të bëhet dhunë...”- ka thënë ajo në seancën e Kuvendit.
E një përgjigje për ministren Haxhiu pati z. Tahiri, i cili e quajti ministren e Drejtësisë “të sanksionuar prej ShBA-së”.
“E nderuar ministre e sanksionuar prej ShBA-së, nuk di a ka gjë më të keqe se me u sanksionu prej Amerikës. Ke njëfarë sikleti, flet kur flasim na. Ne po e kërkojmë angazhimin e Prokurorisë në luftimin e Veselinoviqit e Radojiçiqit. Ju, të sanksionuar nga Amerika, keni filluar edhe me kthy tashmë, me kriju ambient të pafavorshëm për Kosovën dhe ambient për krim e korrupsion e kontrabandë”- ka thënë Tahiri, transmeton Nacionale.
Por eskalimi në gjuhë qe edhe më i ashpër mes Bislimit e deputetëve të opozitës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se është kërcënuar dhe sharë nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Pasi e mbylli mikrofonin në stilin e një banditi, që vendos shurdhuese në armën e tij, u kthye nga unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me fyerje dhe të shara nga ulësja e tij. Mendoj se do të ishte mirë që prokuroria të merret me këtë rast"- ka thënë Bislimi.
Kur e përfundoi fjalimin e tij Bislimi, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u dëgjua teksa përdorte disa fjalë të papranueshme.
“Ti je bandit, idiot”- është dëgjuar duke thënë znj. Musliu.
Për gjuhën e përdorur nga Tahiri, “dëshmitar” doli edhe Murati, minsitër i Financave, duke e ftuar Prokurorinë të ndërhynte.
“E kërcënoi dhe e shajti zëvendëskryeministrin Bislimi, nuk ishte vetëm gjuhë joparlamentare, por sharje dhe kërcënim dhe e ftoj Prokurorinë dhe ta marrë shumë seriozisht kërcënimn e një personi që ka mbajtë armë me shurdhuese për kaq vite”- ka thënë ai.
“Ky është në gjendje të rëndë psikike”, ishte konkluza e z.Tahirit në kundërpërgjigjen ndaj Bislimit.
Debati në seancën e sotme po vazhdon ende me pyetje parlamentare.