Idrizi:Pllaka e Çamërisë në sheshin
“Skënderbej” shqetësoi Greqinë

Idrizi:Pllaka e Çamërisë në sheshin<br />“Skënderbej” shqetësoi Greqinë
“A e patë, në sheshin "Skënderbej" u vendosën gurë nga trevat shqiptare. Patëm fatin dhe mirësinë që të vendosim edhe një pllakë nga Çamëria dhe u shqetësua ambasadorja greke pse ne dhe të gjithë shqiptarët duam drejtësinë për çështjen çame.”
 
Kështu u shpreh kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi në Rrogozhinë për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim merrnin pjesë deputetët Aqif Rakipi e Mesila Doda, si dhe Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Beqir Nuredini.
 
“Në Sheshin “Skënderbej” është edhe pllaka e Çamërisë që përkujton të gjithë atë kalvar të vuajtjeve të Çamërisë, që të mos përsëritet më.
 
PDIU është parti kombëtare, kemi qenë gjithmonë dhe do të jemi në mbrojtje të interesave kombëtare, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë e kudo që ata janë”
, tha kryetari i PDIU-së.
 
Idrizi u shpreh se PDIU ka bërë beteja të mëdha dhe këto zgjedhje bëhen për qytetarët shqiptarë, jo për atë që do të marrë karrigen e radhës.
 
“Ne nuk kemi pasur shumë pushtet, por kemi dy modele zhvillimi të PDIU-së, të njerëzve që e duan këtë vend, i kemi në Rrogozhinë dhe Peqin, por i kemi edhe në Konispol. Sa për pushtet, unë jam shumë i lumtur që ne kemi dy kryebashkiakë nga më të rinjtë në Shqipëri, e kam fjalën për Beqir Nuredinin dhe për Saimir Hasallën.

Këta janë njerëzit e PDIU-së, njerëz që e duan këtë vend, njerëz që i duan shqiptarët bashkë. Kjo është arsyeja pse ne kemi slogan “Veç një Atdhe”. Ne kemi bërë beteja të mëdha sepse mendojmë që nga atdhedashuria mund të bëjmë reforma. Të tjerët nuk bëjnë dhe nuk flasin për reforma. Ju e shihni këtë fushatë elektorale, hera e parë që shihni projekte apo programe, sepse ne mendojmë që shqiptarët janë të gjithë bashkë.

Ne kemi një sfidë të madhe kombëtare ne këto zgjedhje, kemi një sfidë që të zgjedhim se kush do na drejtojë këto katër vjet. Këto zgjedhje nuk bëhen se kush do e marrë më të madhe karrigen e radhës, këto zgjedhje bëhen që ju qytetarë të Rrogozhinës të zgjidhni ata njerëz që do t'ju drejtojnë në katër vitet e ardhshme”,
theksoi kryetari PDIU-së.
 
Shpëtim Idrizi tha se PDIU po rritet përditë, pasi i sheh të gjithë shqiptarët bashkë.
 
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është parti që i do të gjithë shqiptarët bashkë. Ju e keni parë që të tjerët janë shumë të prirur për t'i ndarë në të majtë e të djathtë, në krahina, për të na ndarë dhe për të na futur në konflikt me njëri-tjetrin. PDIU është e vetmja parti që i sheh të gjithë shqiptarët bashkë, të gjithë shqiptarët që mendojnë si ne, që ne kemi Veç një Atdhe dhe Atdheu ynë fillon pikërisht aty ku jetojmë.

Fillon nga Rrogozhina, nga Tirana, nga Tropoja, nga Dibra, nga Kukësi e deri në Bashkinë e Konispolit. Ne kemi djem të mrekullueshëm që po punojmë përditë, për t'i dhënë në radhë të parë këtyre njerëzve të mrekullueshëm, dinjitetin dhe identitetin kombëtar sepse ne të gjithë jemi shqiptarë. Ju e keni parë miqtë e mi që PDIU-ja nuk ka pasur pushtet, por ne jemi rritur përditë, jemi fuqizuar përditë, sepse ne kemi mbrojtur kauza të mëdha që kanë të bëjnë me interesin e të gjithë shqiptarëve.

Për të gjithë ata që mendojnë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, aty ku e ka vënë Zoti, që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për zhvillim, që Zoti ja ka dhënë me tepri të gjithë mundësitë por i ka lënë mangët mendjet e politikanëve. Ne nuk jemi politikanë, ne jemi njerëz që vijmë nga një kauzë dhe i kemi dal për zot”, 
u shpreh Idrizi, i cili i kërkoi qytetarëve të Rrogozhinës dhe të gjithë Shqipërisë, që të votojnë nr.13.
 
Ndërsa deputetja Mesila Doda tha se është e rëndësishme prania e gruas në Parlament.
 
“E di që është e vështirë të thuhet familje, grua apo fëmijë në fushatë. Partitë akuzojnë njëra-tjetrën, kur thonë kjo apo ajo parti mori gjobë se nuk respektoi kuotat e grave në lista. Dua t’u them se gruaja nuk është numër, ne jemi elementi thelbësor i politikës, prandaj na mbështesni. Ju i dini të gjitha betejat që PDIU ka zhvilluar në mbrojtje të familjes.

Në Parlament donin të ndryshonin skemën tradicionale të martesës, jo më burrë-grua, po burra-burra dhe ne nuk ramë dakord, sepse ne duam Zotin dhe familjen. Sot familja shqiptare është më e sulmuar se kurrë pikërisht për këtë, që në fillim do sjellim në Parlament projektligjin e familjeve që kanë dy fëmijë ose më shumë.

Në mbështetje të familjes do duhet që të gjitha shpenzimet për fëmijën e dytë, të tretë apo të katërt e me radhë t’i mbulojë shteti shqiptar. Ky do jetë një nga projektligjet që PDIU sjell në Parlamentin e ardhshëm”,
tha Mesila Doda.
 
Deputeti Aqif Rakipi tha se PDIU do të dyfishojë mandatet në të gjithë Shqipërinë. “Falë mbështetjes që qytetarët po na japin përditë, PDIU do të rritë numrin e mandateve. Ne do të kemi grupin tonë parlamentar. PDIU u qëndron pranë qytetarëve dhe halleve të tyre”, tha deputeti Aqif Rakipi.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur