ITALI - Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka ndarë emocionet dhe vizionin e tij për aventurën te kuqezinjtë, gjatë një interviste për DAZN. Tare e cilësoi momentin e arritjes së marrëveshjes me Milanin si një nga më të rëndësishmit në jetën e tij, duke theksuar përgjegjësinë që vjen me këtë rol.
"Për të qenë te Milani, duhet të rikthehesh te fitoret. Këtu duhet të lësh gjurmën tënde. Kur mbërrita këtu mendoj se ishte një nga ditët më të mira të jetës", tha shqiptari.
Tare më pas u ndal edhe te dallimet mes Lazios dhe Milanit, duke shtuar se me emrin që ka Milani, është më e lehtë që të binden futbollistët.
"Dallimet midis Milanit dhe Lazios? Është një ndryshim thelbësor. Me emrin Milan është më e lehtë të bindësh lojtarët sesa kur isha te Lazio, për shkak të historisë së klubit dhe gjithashtu për shkak të burimeve financiare", tha Tare.
Në fokus të deklaratave të tij ishte edhe sulmuesi portugez Rafael Leao, për të cilin Tare u shpreh me superlativa.
“Ka një potencial të jashtëzakonshëm”, duke iu referuar edhe vlerësimeve të Luka Modric, sipas të cilit lojtari ende nuk e ka kuptuar plotësisht aftësinë e tij.
Në fund, drejtori sportiv foli edhe për raportin me Zlatan Ibrahimovic, duke theksuar natyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit mes tyre: “Jemi të dy ballkanas, ia themi gjërat njëri-tjetrit në sy", tregoi 'Bjondi' shqiptar.
Komente







