Luka Modric i është nënshtruar me sukses një operacioni pas frakturës në mollëzën e majtë, tha Federata Kroate e Futbollit, disa javë përpara se mesfushori 40-vjeçar i Milanit të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të pestë.
Ky është një lajm i rëndë për Milanin dhe trajnerin Massimiliano Allegri, pasi mesfushori veteran Luka Modric detyrohet të mbyllë sezonin në Serie A për shkak të një dëmtimi serioz.
Kroati pësoi dëmtimin në sfidën kundër Juventusit të dielën (0-0), në një përplasje me Manuel Locatellin, teksa tentonte të godiste topin me kokë. Si pasojë, ai u detyrua të largohej menjëherë nga fusha.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit kuqezi, ekzaminimet mjekësore konfirmuan një frakturë në mollëzën e majtë, dëmtim që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme. Mungesa e Modric përbën një goditje të fortë për Milanin në fazën vendimtare të sezonit, duke i hequr skuadrës një nga lojtarët më me përvojë dhe liderët në mesfushë.
Federata Kroate e Futbollit tha se stafi mjekësor i tyre ishte në kontakt me Modricin, i cili është kapiten i skuadrës, si dhe me mjekët e klubit kuqezi.
“Kam folur me Lukën dhe i kam uruar një operacion të suksesshëm dhe një shërim të shpejtë dhe cilësor”, tha trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic. "Jam i bindur se ai do të bëjë gjithçka që të jetë gati për Kupën e Botës dhe ne do t'i ofrojmë mbështetje të plotë.
Jam i bindur se rikuperimi do të shkojë sipas planit dhe se Luka, si kapiten i ekipit, do të na udhëheqë në një tjetër garë të madhe këtë verë", konfirmoi Dalic.
Milani është i treti në renditjen e Serie A, 12 pikë pas kryesuesve të Interit, me katër ndeshje të mbetura deri në fund. Një maskë mbrojtëse mund të nevojitet nëse ai rikuperohet në kohë për Kupën e Botës 2026.
Kupa e Botës 2026, e bashkorganizuar nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika, fillon më 11 qershor dhe Kroacia do të përballet me Anglinë, Ganën dhe Panamanë në Grupin L.
Komente







