Pjesëmarrja në protestë përfundoi keq për Klevis Balliun, i cili përfundoi në Lanë në përpjekje për t’i shpëtuar një sulmi me gurë nga protestuesit.
Dhjetëra protestues kishin rrethuar deputetin Klevis Balliu dhe demokratë të tjerë, duke iu kërkuar që të largohen nga protesta mes thirrjeve “nuk na përfaqësoni, deputetë të krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”.
Situata u tensionua më shumë pasi protestuesit i përzunë demokratët dhe nisën të qëllojnë në drejtim të tyre me ujë e shishe.
Pas momentit kur u përzu nga protesta, Klevis Balliu i gjendur nën breshërinë e gurëve të protestuesve ia mbath me të katërtat për të shpëtuar dhe përfundon në Lanë.
Një tjetër demokrat që ka qenë me Balliun mësohet se ka mbetur i lënduar, por djali i Fahriut ia hodhi paq me një kalim në Lanë.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar pamjet kur deputeti demokrat Klevis Balliu kalon përmes Lanës, për t’u shpëtuar protestuesve, të cilët e përzunë nga sheshi.
Krahas pamjeve, Balla me ironi ka shkruar në rrjetet sociale ‘Klevis Balliu kalon me not Lanën’.
Më tej Balla ka bërë edhe një krahasim mes Balliut dhe kryedemokratit Sali Berisha teksa shkruan: ‘Pse vetëm Saliu e kalon oqeanin me not’.
“LAJM I MIRË! Klevis Balliu kalon me not Lanën. Pse vetëm Saliu e kalon oqeanin me not”, ka shkruar Balla krahas pamjeve në rrjetet sociale.



