Xi Jinping po përgatitet të presë Vladimir Putinin në Pekin këtë javë, vetëm katër ditë pasi në kryeqytetin kinez zhvilloi një samit të rëndësishëm me Donald Trump.

Presidenti kinez dhe homologu rus shkëmbyen të dielën “letra urimi”, ku Xi theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është “thelluar dhe forcuar vazhdimisht”. Sipas mediave shtetërore kineze, këtë vit shënohen edhe 30 vite nga partneriteti strategjik mes Kinës dhe Rusisë.

Putin pritet të vizitojë Pekinin të martën dhe të mërkurën. Media shtetërore kineze “Global Times” e paraqiti ardhjen brenda pak ditësh të Trump dhe Putin si një shenjë se Pekini po kthehet në qendrën kryesore të diplomacisë globale.

“Është shumë e rrallë në epokën pas Luftës së Ftohtë që një vend të presë liderët e SHBA-së dhe Rusisë njëri pas tjetrit brenda një jave”, shkruan gazeta.

Marrëdhënia gjithnjë e më e afërt mes Kinës dhe Rusisë vazhdon të shqetësojë Perëndimin, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Diplomatë dhe analistë perëndimorë thonë se mbështetja ekonomike dhe diplomatike e Pekinit ka ndihmuar Moskën të mbajë në këmbë luftën.

Xi dhe Putin janë takuar më shumë se 40 herë, shumë më tepër sesa lideri kinez është takuar me drejtuesit perëndimorë. Tregtia mes dy vendeve ka arritur nivele rekord që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Kina tashmë blen më shumë se një të katërtën e eksporteve ruse, ndërsa importet masive të naftës ruse i kanë sjellë Moskës qindra miliarda dollarë të ardhura.

Sipas të dhënave të Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, Pekini ka blerë mbi 367 miliardë dollarë karburante fosile nga Rusia që nga nisja e luftës. Këto furnizime janë bërë edhe më të rëndësishme për Kinën pas krizës në Lindjen e Mesme dhe problemeve me transportin e naftës përmes ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, lufta në Ukrainë duket se nuk zuri shumë vend në bisedimet mes Trump dhe Xi javën e kaluar. Fokus kryesor ishin tregtia, Tajvani dhe tensionet në Lindjen e Mesme. Xi i kërkoi Trumpit të trajtojë me kujdes çështjen e Tajvanit, duke paralajmëruar për rrezik konflikti nëse situata menaxhohet gabim.

Pas largimit nga Pekini, Trump deklaroi se ende nuk kishte vendosur nëse do të miratonte një marrëveshje shumë-miliardëshe për armë amerikane për Tajvanin. Një bllokim i kësaj marrëveshjeje do të konsiderohej fitore e madhe për Pekinin, i cili synon të marrë kontrollin e ishullit vetëqeverisës.

Analistët amerikanë besojnë se Tajvani mund të jetë tema e nënkuptuar e takimit Xi-Putin. Sipas ekspertit Joseph Webster nga Atlantic Council, Kina mund të kërkojë marrëveshje të reja energjetike me Rusinë për të garantuar furnizimet në rast të një konflikti të ardhshëm rreth Tajvanit.

Në këtë kuadër, Rusia po shtyn Kinën të ecë përpara me projektin “Power of Siberia 2”, një gazsjellës i ri që do të shtonte edhe 50 miliardë metra kub kapacitet në rrjetin energjetik mes dy vendeve.