TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim nuk votoi kundër Partisë Demokratike. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm në këtë parti, Luan Rama duke argumentuar votën e djeshme në Kuvend kundër Zana Xhukës për postin e kreut të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKP).

Gjatë një konferencë për mediat, Luan Rama sqaroi se vota kundër kandidaturës së Xhukës erdhi për faktin se preferonin kandidaturën tjetër, atë të Shkëlqim Ganaj.

“Qëndrimi i LSI ka qenë një qëndrim i shprehur në mënyrë korrekte dhe me transparencë në Kuvend, me integritet të plotë në përputhje me zgjidhjen që duhet bërë. Më lejoni të shpjegoj që nuk ka qenë një votë kundër PD, as kundër Xhukës, por ka qenë një votë pro për kandidatin tjetër që vinte nga radhët e ILKDP”, -u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama.

Në seancën e djeshme parlamentare, e para për vitin 2013, u hodh në votim dekreti i Presidentit Nishani për emërimin e Zana Xhukës në krye të ILDKP-së, i cili kaloi me 70 vota pro dhe 67 kundër. Kjo kandidaturë prishi aleancat politike, pasi 4 deputetët e LSI votuan kundër Xhukës, ndërsa aleati i PS-së Vangjel Dule (i PBDNJ-së), ndryshe nga opozita dha votën e tij pro.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)