TIRANE- Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë deklaroi mbrëmë se pasuria kesh e 4700 zyrtarëve të lartë arrin në shifrën e 62 milionë dollarëve. Jo vetëm kaq gjysma e kësaj shume është përqëndruar në rreth 350 zyrtarë që sipas Llallës “pjesa më e madhe e tyre ndodhen pranë sistemit parlamentar. Kryesisht deputetë.”

“Totali i pasurive që disponojnë 4700 zyrtarë që kanë deklaruar ndër vite është 62 miliardë lekë të rinj.”- tha Adriatik Llalla në emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza në Tv Vizion Plus. Ai saktësoi se institucioni i ILDP ka databazën më të sofistikuar se çdo institucion tjetër i Shqipërisë.

I pyetur nga Peza se kjo do të thotë se 620 milionë dollarë kesh ndodhen në kontot bankare të zyrtarëve shqiptarë, Llalla u përgjigj: Po, e saktë. Nga ky total rezulton se gjysma e kësaj pasurie është e përqendruar në rreth 350 zyrtarë.”

Llalla përmendi emra konkretë të disa zyrtarëve që kanë pasuri jashtë territorit të Shqipërisë dhe që janë verifikuar si ”Besnik Çobaj disponon shtëpi në Bruksel dhe llogari të ndryshme bankare. Shkëlqim Hoxhaj, punonjës i ministrisë së Financave disponon shtëpi në Bruksel dhe llogari bankare etj. Vajza e ministrit të Arsimit, e cila disponon pasuri në Gjermani.” Nga deputetët që kanë pasuri jashtë vendit u përmendën “Tom Doshi, Andis Harasanit, ish-deputet deri pak ditë më parë dhe anëtarë të tjerë të Kuvendit”- tha kreu i ILDKP duke shtuar se ”është një listë e gjatë.”
(sg/shqiptarja.com)