Kjo e premte është dita e fundit para heshtjes zgjedhore. Për çfarë arsyesh besoni se kolonjarët do të votojnë për ju dhe jo për kandidatin e opozitës?
Gjatë këtyre ditëve të fushatës kam shkelur dhe takuar çdo banor të Bashkisë, që nga Erseka, Leskoviku dhe të gjithë fshatrat. Kam një të shkuar të njohur pranë tyre dhe kam një projekt të qartë sot për zhvillimin dhe transformimin e Kolonjës. Në transparencë të plotë, duke u bazuar tek nevojat e banorëve dhe vizioni im për zhvillimin e kësaj zone, kam hartuar një program prej 13 shtyllash. Brenda 6 mujorit të parë do të riorganizoj punën në Bashki për të rritur efikasitetin e administratës. Unë jam zotuar gjithashtu të çoj ujë në çdo familje kolonjare dhe leskoviqare. Investimeve të ujësjellësit të Ersekës dhe Leskovikut do i pasojnë rehabilitimet e të gjithë ujësjellësve të fshatrave të kësaj bashkie. Investimet në infrastrukturë do të kenë gjithashtu një fokus prioritar në punën time. Qendra dhe hyrja e Leskovikut, përfundimi i projektit të qendrës së Ersekës dhe sistemimi i rrugëve lidhëse për të gjithë fshatrat e kësaj bashkie do të jenë, nxitja e parë që do të bëj në punën time për zhvillimin e bujqësisë, lidhjen e fshatit me tregun dhe krijimin e kushteve për ta kthyer këtë zonë në një destinacion turistik.
Do ta njihni rezultatin në rast se humbni?
Në këtë fushatë nuk kam menduar asnjë ditë për humbjen. Mbase ka të bëjë me profesionin tim që nuk më lejon të mendoj humbjen, por vetëm fitoren. Unë besoj, në fakt, që nuk do të jetë fitorja ime, por e gjithë mbështetësve të mi dhe e Kolonjës së bukur.
Si e vlerësoni rivalin tuaj, Dritan Hajro?
Nuk kam një njohje të afërt me kandidatin, por dua të theksoj se në këto zgjedhje, unë shoh përballë problemet dhe hallet e banoreve të Ersekës, Leskovikut dhe gjithë kolonjareve. Kjo është sfida ime, kjo është beteja ime, ajo që unë dua ta fitoj.
A përbën problem për garën tuaj fakti që keni përballë vëllain e një ish-deputeti socialist?
Unë i vlerësoj njerëzit nga personaliteti vetjak ndaj nuk dua të spekuloj. Jam i bindur që qytetarët e Kolonjës do të dinë të bëjnë dallimin.
Kush e drejtoi fushatën tuaj elektorale?
Në fushatën time janë angazhuar qindra të rinj e të reja, banorë të Ersekës, Leskovikut dhe gjithë fshatrave të Kolonjës. Kjo është forca ime më e madhe, e kësaj dua t’i shtoj zotimin e zëvendës kryeministrit Peleshi për të qenë pranë gjatë fushatës dhe gjatë drejtimit të bashkisë. Mbështetja e tij dhe e kryeministrit Rama, më bëjnë të jem besimplotë se punët e mira që janë nisur dhe ato që do të nisin në këtë bashki, do të ecin përpara me një shpejtësi akoma më të madhe.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com