Sot në Partinë Demokratike nuk pati zgjedhje. Pati një ritual të lodhur vetëkonfirmimi, një ceremoni politike ku vota hyri vetëm si dekor dhe rezultati kishte dalë nga kutia shumë kohë përpara se të hapej kutia. Një proces që ngjante më shumë me funeralin ceremonial të pluralizmit opozitar sesa me një ushtrim demokratik.
SHQUP-i dhe demoni i tij kryetar treguan edhe njëherë se si mund të zvarritet politikisht një kufomë për vite me radhë duke e zhgërryer me bojën e “demokracisë së brendshme”. Dhe si çdo ritual mortor provincial, nuk munguan as surrogatot e liderit, ata që sillen rrotull si qenlehane primitive politike, duke lehur sipas fishkëllimës së të zotit.
Dje demoni kryetar deklaroi me solemnitetin e një njeriu që flet para pasqyrës së vet: “Ky referendum dhe ky votim ishte më i pastri, më demokratiku dhe më i rregullti jo vetëm në Europë por në botë.”
Në një vend normal kjo fjali do të shkaktonte të qeshura. Këtu shkaktoi duartrokitje. Sepse pas tij doli kërriçi politik i radhës, i cili pëlliti me bindjen e një ushtari pa tru se këto zgjedhje duhet të jenë model për demokracitë e së ardhmes. Dhe më pas nisi kori klasik i SHQUP-it: orkestrina e pëllitjes kolektive që ngatërron servilizmin me besnikërinë dhe propagandën me realitetin.
Në fakt, historia e kësaj partie duket e mbyllur. Dhe ironia më e madhe është se po mbyllet tamam ashtu siç nisi: me mashtrim emocional, me kult individi dhe me një teatër politik ku militanti përdoret si dekor folklorik për legjitimitetin e liderit.
35 vite më pas, ajo që quhej shpresë për pluralizëm është reduktuar në një duel mes një mazhorance të paprekshme dhe një opozite që sillet si sekt politik rreth kryetarit. Kjo është tragjedia reale shqiptare: jo mungesa e rotacionit, por mungesa e alternativës. Kur opozita kthehet në karikaturë, pushteti bëhet i përjetshëm.
Dhe këtu fillon problemi më i madh. Sepse vazhdimi artificial i jetës politike të kësaj kufome opozitare nuk prodhon demokraci; prodhon vetëm zgjatjen e sundimit absolut të maxhorancës. Çdo ditë që SHQUP-i mbahet në ventilator politik, vdes pak më shumë ideja e pluralizmit funksional në Shqipëri.
Media? Edhe ajo duket pjesë e kësaj tallavaje 35-vjeçare të pshurralizmit shqiptar. Një pjesë e mirë e saj nuk ushqehet nga ndryshimi, por nga status quo-ja. Sepse një opozitë e kalbur është biznes më i leverdishëm sesa një demokraci funksionale.
Ndërsa shoqëria shqiptare vazhdon të endet mes apatisë, cinizmit dhe spektaklit. Dhe pyetja mbetet brutale: a e meriton kjo shoqëri demokracinë kur hesht përballë degradimit të saj? Kur toleron banalitetin politik, dhunën verbale, ndotjen morale dhe shkatërrimin publik të çdo standardi?
Sepse demokracia nuk vdes vetëm nga autokratët. Vdes edhe nga indiferenca kolektive.
Prandaj ndoshta zgjidhja nuk vjen më nga lart. Lart janë konsumuar, kalbur dhe kthyer në kastë. Ndoshta duhet nisur nga poshtë: nga ndërgjegjësimi qytetar, nga refuzimi i kultit politik, nga ndërtimi i një kulture ku lideri nuk trajtohet si demon, profet apo pronar partie.
Përndryshe do vazhdojmë të rrahim ujë në havan, ndërsa pluralizmi shqiptar mbetet një dekor i vjetër i varur në murin e një sistemi që prej kohësh ka pushuar së qeni demokraci funksionale.
Komente











