I trumbetoi me të madhe si zgjedhjet më demokratike, por procesi për kryetarin e Partisë Demokratike përfundoi në fletën e votimit me një emër të vetëm dhe të njëjtin, Sali Berishën.
Në një proces pa garë, Sali Berisha arriti të marrë votën pro nga 37 mijë e 341 anëtarë, ose rreth 95% të votave, një përqindje alla “enveriste”. Nga 51 737 anëtarë të PD, vetëm 39 441 prej tyre morën pjesë në garë. Nga votat e numëruara, 38 mijë e 902 rezultuan të vlefshme, ndërsa 1055 anëtarë votuan kundër Berishës dhe 506 abstenuan.
Numri i anëtarësisë u mbajt sekret nga kupola e PD dhe u bë publik vetëm 4 orë pasi kishte nisur procesi i votimit. Të vetmet shifra zyrtare mbi anëtarësinë i përkisnin 2021-shit kur partia drejtohej nga Lulzim Basha dhe asokohe numri i anëtarëve ishte rreth 75 mijë. Nga ana tjetër më shumë se 12 mijë anëtarë (23.8%) nuk iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Megjithatë vlen të theksohet se Berisha është 17 mijë vota minus nga votat e Lulzim Bashës në zgjedhjet e verës 2017-ën dhe thuajse e njëjta shifër që Basha mori në 2021-shin.
Kryetari i parë i PD që në vitin 1991 e që e dominon prej 35 vitesh mori një tjetër mandat, në një proces që jo pak ka qenë i kontestuar, me 5 kandidatë të tjerë të skualifikuar.
“Sot keni votuar për një PD të ripërtërirë plotësisht, të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj, në misionin më të shkëlqyer për Shqipërinë e shqiptarët, më të vendosur se kurrë në misionin e saj”, tha Berisha pas shpalljes së rezultatit.
Menjëherë pas fitores, që vetëm duhej të shkruhej në letra, Berisha shpalli armiqtë e rinj. Kësaj radhe 1055 anëtarët që i dolën kundër, të cilëve publikisht u tha se votën do tua mbaje shënim.
“I garantoj se vota e tyre ndryshe, kundër apo abstenim qoftë do të mbahet shënim në kuptimin e asaj që do të bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan”, u shpreh kryetari i PD.
Procesi i votëbesimit të kryetarit, nisi në orën 08.00 të mëngjesit, me hapjen e 87 qendrave në të gjitha degët e PD-së në vend, për t’u shtyrë në disa prej tyre me 1 orë, deri në 19:00.
Ervin Salianji, i skualifikuar nga gara, mbeti kryefjalë e këtij procesi. Mbështetës të shumtë të tij iu drejtuan kutive të votimit për ta refuzuar në mënyrë demonstrative Sali Berishën, duke shkruajtur poshtë tij në fletë, edhe emrin e Ervin Salianjit. Ndërsa vetë ish-deputeti hodhi akuza se pjesëmarrja u manipulua dhe se sipas tij kanë votuar vetëm 4 mijë anëtarë.
Sali Berisha nuk lejoi kandidimin e 5 demokratëve, atë të Evi Kokalarit, Ervin Salianjit, Alesia Balliut, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt duke dalë i vetëm përballë demokratëve. Pjesa më e madhe e tyre i është drejtuar Gjykatës së Tiranës që t’i shpallë zgjedhjet e brendshme të PD të pavlefshme, por deri më tani ende nuk është pranuar asnjë sigurim padie që rivalët e Berishës kanë çuar në dyert e Gjykatës.
Vetëm një javë pas procesit zgjedhor, Partia Demokratike ka thirrur Kuvendin Kombëtar ku do të miratohen ndryshimet në statut.
Gjatë fjalimit të ‘fitores’ pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve pa garë të PD, Sali Berisha e trajtoi procesin e brendshëm të partisë sikur do të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ai tha se kjo votë e ka lënë pa gjumë kreun e qeverisë, Ramën.
“Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë”, tha Berisha.
Në fjalën e tij pas shpalljes së rezultatit të referendumit për PD, Berisha tha se ky është votimi më i rëndësishëm që nga 1991.
“Unë sonte dua t’u them të gjithë këtyre dhjetëra mijëra demokratëve se për mua në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 gjer sot, ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh”, tha Berisha.
Sipas Berishës, 39 441 votuesit e PD kanë zgjedhur PD më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj. Madje, është i bindur se me të njëjtën ‘forcë’, shqiptarët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
“Kanë zgjedhur PD më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj. Siç votuam ne sot, do të votojnë shqiptarët nesër. Ky është betimi ynë! Edi Rama, dije mirë se për këtë ushtri 40 mijëshe, ti ke 0 legjitimitet! Ti, kudo që të shkosh, në hënë e prapa diellit, shkon një hajdut i shpërfytyruar”, tha Berisha.
Në selinë blu shpërtheu festa dhe fishekzjarret pas konfirmimit të Sali Berishës në krye të PartIsë Demokratike, Sipas deklaratës zyrtare të PD-së, Berisha u konfirmua kryetar me votat e 37 mijë demokratëve.

Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e zgjedhjeve pa garë në Kukës për zgjedhjen e kryetarit. Procesi i votimit u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa probleme.
Sipas rezultateve zyrtare, në votim morën pjesë 1.014 anëtarë. Në kuti u gjetën po 1.014 fletë votimi, nga të cilat 1.005 rezultuan të vlefshme dhe 9 të pavlefshme.
Rezultati i referendumit në degën Kukës ishte 964 vota pro, 17 kundër dhe 24 abstenim.
Edhe në degën Has u zhvillua procesi i votimit. Në kuti u gjetën 853 fletë votimi, ndërsa nga numërimi rezultuan 826 vota pro dhe 27 vota kundër.

Në Durrës, Berisha ka grumbulluar 892 vota nga referendumi. 29 votues kanë votuar kundër, ndërsa 10 kanë abstenuar.

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave ne Qarkun Lezhe për zgjedhjet pa garë që u zhvlluan për konfirmimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
Në degën e Mirditës morën pjesë 712 votues, nga të cilët 667 votuan pro, 28 kundër dhe 8 abstenuan.
Në degën e Kurbinit votuan 975 anëtarë. Nga këto, 952 vota ishin pro, 6 kundër, 4 abstenim, ndërsa 13 vota rezultuan të pavlefshme.
Ndërsa në degën e Lezhës, nga 1222 votues në total, 1059 votuan pro, 38 kundër, 45 abstenuan dhe 80 vota u shpallën të pavlefshme.
Procesi i votimit dhe numërimit u zhvillua pa incidente, ndërsa drejtues të PD-së e cilësuan referendumin si një tregues të mbështetjes së anëtarësisë dhe bashkimit të demokratëve.

Në degën e PD në Elbasan, Berisha ka marrë 1120 vota nga 1181 në total. 33 votues janë shprehur kundër, 12 kanë abstenuar ndërsa 16 janë të pavlefshme.

Në degën e Partisë Demokratike në Pogradec janë publikuar rezultatet e votimit për konfirmimin e Sali Berisha në krye të PD-së.
Sipas rezultatit zyrtar:
295 vota pro
19 vota kundër
10 abstenime

Ka përfunduar procesi i votimit në disa degë të Partisë Demokratike në qarkun e Korçës për rikonfirmimin e Sali Berisha në krye të PD-së.
Vetëm çereku i votuesve në Pustec kanë hedhur një votë në zgjedhjet formale për Berishën. Nga 66 votues aktivë, janë paraqitur në degë vetëm 15 prej tyre. Berisha ka marrë 13 vota pro, 1 abstenim kurse një votë ka dalë e pavlefshme.
Në degën e Kolonjës, Berisha ka marrë 213 vota pro, ndërsa janë regjistruar 4 abstenime.
Në Korçë, kandidatura e tij është mbështetur nga 392 anëtarë, ndërsa 18 vota kanë qenë kundër. Po ashtu janë regjistruar 7 abstenime dhe 18 fletë votimi të pavlefshme.
Ndërkohë, në Devoll, 648 anëtarë kanë votuar pro Berishës, 29 kundër, 15 kanë abstenuar dhe 3 fletë votimi janë shpallur të pavlefshme.
Me 724 vota pro Sali Berishës, 7 kundër dhe 4 të pavlefshme është mbyllur votimi i PD në Maliq.
Komente









Kur do bejne zgjedhje Brenda partive te Tyre partite e reja? Ne mos gaboj edhe Qorri edhe Shehaj edhe Basha edhe shume parti reja Lapaj me shokë kané humb ne 2025 kur do jene me zgjedhje Brenda partive ! Mesa duket zoti proffesor Doktor Berisha fati I madh i socilisteve po u jep partive te reja nivel cilesie , zgjedhje kur humbet! Pse partite e reja nuk bejne zgjedhje apo referendum meqe Jane humbese ne maj 2025?
PërgjigjuBravo Kukësi me 10000 Banorë e votuan 964 votues kriekarin e vet shpadhur!Durrësi me 200,000 mij banorë e votuan 892 veta kjo shihet sa Qytetaria e do kriminrlin,hajdutin non graya.
PërgjigjuKRIMINELI NE KRYE TE PD...===PARTI E MARRE FUND...
PërgjigjuKomunist linde dhe komunist do vdesesh
PërgjigjuEdhe 2 mandate per Partine Socialiste progresiste. Sali Karaxhiç si Maduro!
Përgjigju