TIRANE - Pas takimit më kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij, vlerësimi i kryeparlamentarit Ilir Meta për buxhetin e vitit 2016, ka qenë mjaft pozitiv.

"Projektbuxhet, pavarësisht nga disa vërejtje dhe kritika që i bëhen dhe që do t’i bëhen, ka disa elementë pozitiv. Së pari garanton një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të vendit. Së dyti, garanton përmes një vendosmërie për të realizuar konsolidimin fiskal, një rritje të qëndrueshme ekonomie, jo vetëm për vitin që vjen, por dhe në vitet e mëpasshme dhe kjo është mjaft e rëndësishme. Lidhur me konsolidimin fiskal që edhe ju e prekët, mendoj se është evidente që për herë të parë kemi një ulje të borxhit publik, pavarësisht se nuk është e lehtë , por për herë të parë kemi një ulje. Së dyti kemi gati një përgjysmim të deficitit buxhetor. Së treti, pas disa vitesh për herë të parë kemi shfaqjen e suficitit primar,e dhe pse kjo përsëri në mënyrë modeste", u shpreh Meta.  
 
Duke folur para studentëve, Meta tha se askush nuk duket i lumtur për buxhetin e vitit të ardhshëm, por kjo ndodh sipas tij, sepse kërkesat janë shumë të mëdha.

Gjatë diskutimit me studentët e Fakultetit Ekonomik në sallën e Kuvendit kur të enjten do të votohet nen për nen buxheti, Meta zbuloi një skemë të re që do të aplikohet për monitorimin e zbatimit të buxhetit.
 
"Në kuadër të transparencës më të madhe ndaj publikut, ndaj qytetarëve ndaj grupeve të interesit, Kuvendi ka vendosur që ky monitorim të ndodhi jo vetëm një herë në vit kur paraqitet buxheti faktik, por të ndodhë të paktën çdo tre muaj për të ndjekur ecurinë e zbatimit të tij në bazë të gjithë zërave", u shpreh kryeparlamentari.

Edhe më optimist kryeparlamentari ishte kur u shpreh se shpresonte në tejkalimin e rritjes ekonomike në masën 3.7% saç është parashikimi.
 
Megjithatë, Meta u shpreh se demokracia ka problemet e saj dhe një nga problemet e saj është edhe borxhi.

Por nuk është problemi se borxhi është ndonjë tabu, por duhet parë si një instrument për zhvillimin, për rritje ekonomike, për punësimin. Në këtë drejtim unë mendoj se shumë vërejtje që mund të bëni dhe të gjithë kanë vërejtjet e tyre. Ne jemi ende një vend në zhvillim, vijmë nga një prapambetje e jashtëzakonshme dhe në këtë kuptim, është mjaft e rëndësishme t’i shërbejmë të ardhmes dhe të jemi sa më realist. Prandaj, meqenëse u kthyem tek çështja e borxhit, dihet që vendi ynë ka një borxh shqetësues. Këtu u përmend edhe nga dikush prej jush paralajmërimi i agjencisë së njohur ndërkombëtare “MOODY’s” lidhur me hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për uljen e borxhit në mënyrë që ai të mos ekspozojë më tej vëmendjen dhe financat tona drejt rreziqeve më të mëdha që do të kompromentonin rritjen ekonomike në të ardhmen”, - tha Kryetari i Kuvendit. 

Meta tha se ky buxhet ka si prioritet kryesor përmirësimin e klimës me biznesin si dhe rritjen e lirisë ekonomike.

“Ky buxhet ka vështirësi dhe kufizime për infrastrukturën, por ka mundësi të pashfrytëzuara për tu mbështetur tek partneriteti publik privat për investime më të mëdha, që i shërbjenë zhvillimit të vendit e biznesit”, tha Meta.

Buxheti tha Meta ka risi raportin e vendosur me pushtetin vendor, pasi ky është vitit i parë financiar që Shqipëria ka të bëjë me vitin e parë financiar të bashkive të reja. Kjo sipas tij shënon hap përpara në reformën e decentralizimit.

Këtyre bashkive i’u kalojnë kompetenca e përgjegjësi e shërbime në arsim, bujqësi, infrastrukturë, mjedis etj por edhe fonde për realizimin e këtyre shërbimeve” tha ai.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për buxhetin

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)