Meta theksoi se 23 qershori është një ditë e rëndësishme pasi shqiptarët do të marrin vendimin përfundimtar për situatën e tyre ekonomike dhe sociale. Kreu i LSI Ilir Meta sulmoi sloganin e koalicionit të djathtë, ‘Aleanca për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim”, duke theksuar se në të ndodhen 3 problemet më të mëdha që qeveria i shkaktoi shqiptarëve.
“23 qershori është ditë e rëndësishme që i fton qytetarët e shoqërisë për reflektim dhe para se të marrin një vendim përfundimtar në 23 qershor do pyesin vetën nëse ndihen me mirë për veten e tyre, familjet e tyre, komunitetin e tyre dhe të gjithë Shqipërinë. Tre problemet kryesore që keni ju dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, janë të gdhendura në sloganin e PD, që tregojnë plagët kryesore të akumuluara nga qeverisja e saj, ata kanë punësimin, por shqetësimi më i madh për ju është papunësia.
Ata kanë mirëqenien, por problemi kryesor është rrijta e çmimeve dhe rënia e fuqisë blerëse. Ata kanë integrimin, por javët e fundit demonstruan intolerancë të jashtëzakonshme, duke refuzuar propozimin që bëra për miratimin e ligjeve brenda përfundimit të legjislacionit së Parlamentit dhe futjen në fuqi në parlamentin e paszgjedhjeve”, theksoi Meta.
Njëherësh kreu i LSI ka kritikuar dhe deklaratat kryeministrit për rritje ekonomike dhe zhvillim duke i kërkuar shqiptarëve votojnë kundër këtyre sukseseve imagjinare të Berishës. “Më 23 qershor kemi shansin të votojmë për realitetin Evropian që duam. Për kryeministrin tonë vetëm në fjalime dhe mitingje qytetarët janë të parët, por për të, të parët janë fishekzjarret.
Qeveria është kudo në festë dhe qytetarët janë kudo me halle, ndaj më 23 qershor Durrësi dhe gjithë Shqipëria do i thonë mjaft sukseseve epike të qeverisë që do largohet. Durrësi dhe Shqipëria do zgjedhin rotacionin dhe jo ngërcin ku jemi. Do zgjedhin punësimin dhe jo stanjacionin, shtetin ligjor për të gjithë dhe jo për të gjitha pushtet në dorën e një njeriu të vetëm.
Më 23 qershor kemi shansin të votojmë për realitetin Evropian që duam”, shtoi Meta. Kreu i LSI shpaloi edhe platformën e partisë që ai drejton për zgjidhjen e situatës. Edmond Panariti njëherësh ish-ministër i Jashtëm theksoi se LSI do të ketë një fitore plebishitare me 23 qershor.
Ndërsa deputeti Lefter Koka, gjatë fjalës së tij i bëri thirrje simpatizantëve demokratë të heqin dorë nga partia e tyre, pasi sipas tij është e papranueshme që Shqipëria ti lihet në dorë dëshirave të një personi të vetëm.
“Ndryshimi i qeverisë aktuale është nevojë dhe domosdoshmëri, pasi Durrësi dhe vendi janë në një situatë të papranueshme, varfëria, pasiguria dh e kaosi kanë bërë të vështirë jetën e qytetarëve shqiptarë", theksoi Koka.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)