TIRANË- Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të GJKKO-së për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, që më 30 janar la në fuqi masën e arrestit me burg. Kështu, me vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, Apeli i GJKKO-së do të rishqyrtojë kërkesën e Metës për një masë më të lehtë sigurie.
Gjykata e Lartë e ka rrëzuar më parë kërkesën e Metës për liri, por për herë të parë ajo zhbën vendimin e Apelit dhe i kërkon që ta rishqyrtojë me të njëjtën trupë gjykuese, kërkesën e ish-presidentit.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin tjetër të presidentit të Partisë së Lirisë, për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Ilir Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë, më 27 prill, në Gjykata e Posaçme pritet të nisë edhe seanca e parë në themel ndaj ish-presidentit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








