TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar sërish me një kërkesë GJKKO-së, ku kërkon shuarjen e masës së sigurisë arrest me burg. Kërkesa e mbrojtjes së Metës për liri përkon me 1-vjetorin e arrestimit të tij, për aferën CEZ-DIA e skandalin e lobimit të LSI në SHBA.

Kërkesa e Ilir Metës për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg” është rrëzuar në të tre shkallët e gjyqësorit. Më 17 tetor ishte Gjykata e Lartë që i rrëzoi rekursin ish-presidentit.

Ai mbahet në qeli prej 21 tetorit të vitit 2024 pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tre vepra penale, “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Dosja e Metës është ende në seancë praprake dhe do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë nëse do kalojë ose jo për gjykim.

Me të njëjtat akuza si Meta përballet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre persona të tjerë, Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, dhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.

 

Kërkesa e Ilir Metës në GJKKO

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
1 vit në qeli, Tedi Blushi për Ilir Metën: Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë së tij

1758646369_tediblushi.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në rrjetet sociale teksa sot bëhet një vit nga arrestimi i kreut të partisë dhe ish-presidentit të vendit, Ilir Meta. Blushi thotë se Meta u rrëmbye dhe thekson se sot ai është kthyer në një simbol të lirisë dhe demokracisë. 

“Sot, më shumë se kurrë, ai qëndron si simbol i gjallë dhe frymëzues i Lirisë, Demokracisë, Qëndresës dhe Rezistencës ndaj së keqes dhe Narkoshtetit. Kauza e tij është kauza e çdo shqiptari të ndershëm që nuk pranon padrejtësinë dhe shtetin e kapur nga krimi dhe korrupsioni”, shkruan Blushi në rrjetet sociale.

Ai thekson se në gjykim do të çmontohet “procesi farsë” që sipas Blushit është urdhëruar nga “tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”. Sipas Blushit, të vërtetat e vetme që janë mësuar deri më tani është se ndaj Metës nuk ka asnjë provë apo fakt penal. 

“Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë së Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë! Liria do të triumfojë! me ty, Ilir Meta”, përfundon mesazhi i Blushit.