TIRANE - Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta trajtoi sot gjatë një interviste për gazetarin Ilir Babaramo, çështje aktuale të situatës politike në vend por edhe të zhvillimeve të fundit jo vetëm në këtë aspekt.

PER ISH TE BURGOSURIT POLITIK: "GREVA NUK ESHTE ZGJIDHJE"
Meta tha në lidhje me grevën e ish të burgosurve politikë se në përmbushje të kërkesave të tyre është i domosdoshëm dialogu, pasi sipas tij greva nuk është një mjet i mirë për të zgjidhur çështjet.  “Dialogu është i domosdoshëm e duhet të vazhdojë në të gjitha mënyrat. Grevat nuk janë mjet i mirë për të zgjidhur çështjet. Janë mjet i mirë sensibilizues, por është e domosdoshme që palët të ulen e të gjejnë në zgjidhje”, u shpreh Ilir Meta.

PRIVATIZIMI I ALBETROL: "PROCES TRANSPARENT"
Në lidhje me privatizimin e Albpetrol Meta u shpreh se ky proces ka qenë transparent pasi u monitorua nga të gjithë. "Më e rëndësishme se çdo gjë ka qenë transparenca. Procesi u zhvillua në prezencën e të gjithë mediave dhe në monitorim të opinionit publik.”, tha Meta. I pyetur se si do duheshin të përdoreshin këto 850 milionë Euro të ofruara nga kompania Vetro Energy, Meta tha se “duhen menaxhuar me përgjegjësi në shërbim të publikut.” Borxhi, sipas tij, është i menaxhueshëm. “Këto të ardhura mund të menaxhohen në financat publike, që japin impulse të reja investimeve publike, në atë drejtim që ndikon në rritjen e punësimit.”, vijoi kreu i LSI-së , Meta.

"PRESIDENTI DUHEJ TE ZGJIDHEJ NGA QYTETARET"

Ilir Meta foli edhe për presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe procesin e zgjedhjes së tij si dhe lidhjet e tij me qeverinë.
“Mesazhet e tij publike janë konstruktive, kanë një formë të qartë bashkëpunues mirëkuptues, është e rëndësishme të vazhdohet në këtë drejtim, që presidenca të jetë pika takimi për të gjitha palët.”, tha Meta. Ndërsa i pyetur se nëse Nishani është palë me qeverinë. “Kjo është sfida më e madhe e një presidentë të dalë me votat e mazhorancës.  Është keqkuptuar që presidenti duhet t’i kundërvihet qeverisë. Detyra e tij është që të sillet dhe të veprojë në çdo hap të aktiviteti të tij institucional në frymën e kushtetutës.”, vijoi kreu i LSI-së.   “Presidenti është çështje e mbyllur, por duhet zgjidhur ndryshe. Presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët. Ky do të ishte proces tepër transparent dhe nuk do të kishim spekulime që janë bërë shpesh pa të drejtë.”, nënvizoi kryetari  i LSI-së, Ilir Meta.

"NUK MUND TE EKSPERIMENTOJME ME PROKURORIN E PERGJITHSHEM"
Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Ilir Meta, tha se kjo është çështje që i takon Gjykatës së Lartë, megjithatë u shpreh ai mbetet iniciativë e Presidentit dhe kalimit më tej në Parlament. “Ne kemi një Gjykatë Kushtetuese që mund ta verifikojë këtë çështje. Kjo nuk është në interesin tim, mbetet në iniciativën e presidentit. Eshtë raport mes presidentit e Parlamentit. Ai do ta mendojë mirë këtë iniciativë në drejtim të një procesi solid nga pikëpamja e legjitimitet. Nuk kam arsye pse ta paragjykoj presidentin.”, theksoi Meta.  Ndërkaq, Meta u shpreh se prokurori i Përgjithshëm duhet të jetë një person “me integritet, mundësisht të provuar më parë”, pasi sipas tij, nuk duhen bërë eksperimente. "Është e lehtë të ndërrosh një ministër nëse ai nuk bën performancën e duhur, por një prokuror ka përgjegjësi më të mëdha. Kontributet që ai jep në luftën kundër korrupsionit, mos futjen në lojërat politike etj. Nuk është i rëndësishëm emri thjesht, dhe mënyra se si vjen, por të jetë një njeri me integritet, të garantojë pavarësinë e institucionit nga politika.”, u shpreh Meta.

KOALICIONI PS-LSI, “JANE HAMENDESIME”

"Koalicioni PS-LSI ishte shumë i mundur përpara 2009. Po nuk është çështje që vendoset nga unë. Do vendoset në prill nga forumet”. Ndërkaq, në lidhje me takimin e zhvilluar me kryetarin e partisë Socialiste, Edi Rama në Bruksel në PSE, Meta përballë pyetjes së a është diskutuar për ndonjë koalicion të mundshëm mes dy forcave politike, u shpreh se “janë hamendësime. Nuk kemi diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm. Ne jemi koalicion qeverisës i cili vazhdon të funksionojë si edhe më parë, pavarësisht nga hamendësime të ndryshme. Për zgjedhjet 2013 nuk kemi qëndrim sepse jemi akoma koalicion", theksoi Meta.

POZICIONI I LSI NE ZGJEDHJET E ARDHSHME? Do të diskutohet në fund të pranverës. Nuk shoh arsye serioze për krizë qeveritare, shoh përmirësim të saj. Ne kemi vullnetin për të parë arritje e jo krizë”.
PA LSI I FITON ZGJEDHJET PD ? ”Nuk ndryshon gjë nga kjo që them unë sot, e rëndësishme është që çdo forcë politike, pavarësisht nga ambicia për të fituar, të shtojnë ambicie për të ecur me hapat e integrimit evropian”.

SUGJERIMET NDAJ BERISHES: TE VEPRONTE NE KOHE ME CEZ-IN

Sugjerimet që Meta ofroi ndaj Kryeministrit Berisha në lidhje me situatat aktuale problematike në vend, i referoheshin sektorit të ekonomisë dhe energjetikës. Meta u shpreh se “duhet një bashkëpunim mes qeverisë e biznesit, për një raport sa më të drejtë në zbatim të ligjit dhe detyrimeve ndaj biznesit. Kërkohet një vlerësim serioz i situatës energjetike dhe i gjithë autorëve në këtë fushë, sepse ka sfida serioze për tu përballur”. Meta theksoi krizën në situatën energjetike, ndërsa akuzoi për këtë fakt CEZ shpërndarjen. “Kemi ca vështirësi me situatën energjetike, kemi CEZ-in që nuk importon, kemi KESH-in në dispozita shumë të disfavorshme. Situata ka ardhur për shkak të përkeqësimit të performancës së CEZ-it, të mospërmbushjes së detyrimeve të tij ndaj palës shqiptare. Këto vendime duhet të merreshin më përpara, por nuk më takojnë mua.”, tha Meta.

CILA KA QENE KESHILLA E FUNDIT QE I KENI DHENE BERISHES?
“Kam parë tek ai një vullnet pozitiv. Për Fierin më ka siguruar disa herë se është për zbatimin e gjykatave, t’ia japin si PD si PS, por nuk mund të vihen kushte që duken si shantazhe kur ka shumë diskutime për tu bërë për të çuar në zgjidhje. Nuk kam marrë përsipër të bëj ndërmjetësim (nga Rama) është dëshirë për të kapërcyer situatat në mënyrë normale”., vijoi Ilir Meta.

BASHKEPUNIMET PAS 2013-ES "Do bashkëpunojmë me ato forca që do të jenë më pranë integrimit, ritmit për të qenë pjesë e BE-së", u shpreh Kryetari i partisë LSI, Ilir Meta.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)