Pas disa problemeve shëndetësore Kryetari i Partisë së Lirisë ka vendosur të kujdeset për veten duke iu nënshtruar një regjimi të rregullt dhe stërvitje fizike.
Herë stërvitje në male, herë mbi hekura e herë në palestër. Deri këtu gjithçka është ok!
Por kur momente të kësaj stërvitjeje publikohen në facebook shumë kërkojnë të gjejnë mesazhin që përcillet pas.
Cili është mesazhi i fshehtë që do të përcjellë Ilir Meta mbi aktivitetin fizik?
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Ju e dini që pata disa probleme shëndetësore që vinin si rezultat i moskujdesit për veten. Ndonjëherë kujdesi i tepruar për tjerët dhe moskudesi për veten të krijon probleme që të kujdesesh edhe më tepër për të tjerët. Dhe siç e shikoni forma fizike është e niveleve më të larta” deklaroi dje Meta në konferencë për gazetarët kur u pyet për këto video.
Në një tjetër video të publikuar sot Meta shfaqet në palestër duke bërë stërvitje me litarë. Videon e shoqëron me titull “Koha për tu shkundur!’
Në aspektin fizik këto video dëshmojnë atë që vetë e thotë ‘është ende në formë fizike të niveleve më të larta.
Në aspektin politik Ilir Meta edhe pse ka marrë male e kodra me vrap, duket se ka braktisur aleatin e tij, Berisha dhe protestat e Rithemelimit që bëhen poshtë ballkonit të Berishës edhe pse dje e justifikoi veten duke thënë se ''nuk e kanë ftuar”.
Në aspektin politik, zgjedhjet parlamentare të 2025 janë afër edhe për ato duhet dhe një përgatitje e mirë. Ndërsa konferencat politike për median janë shpeshtuar dje deklaroi dhe një tjetër objektiv sportiv ngjitjen në majet më të larta të Shqipërisë.
“Nga muaji prill rifillon ngjitja e majave më të larta të Shqipërisë që nuk i kam bërë deri tani. Mesazhi është se sporti duhet të jetë prioriteti ynë. Për sportin do vazhdojmë me intensitet të lartë, nëse doni të na bashkoheni duhet të bëni stërvitje e teste, sepse ne nisemi për të kapur majat dhe jo për të bërë piknik. Kur nisemi për të kapur majat shkojmë drejt majave” tha dje Meta në konferencë.
"Koha për tu shkundur!'