Ilir Yzeiri: Dy aktivistë të Arlind Qorrit në portën e shtëpisë sime

Ilir Yzeiri: Dy aktivistë të Arlind Qorrit në portën e shtëpisë sime

Arlind Qori në fushatë

Kishte kohë, që në portën time nuk trokisnin aktivistë, ndoshta që nga ajo periudha kur « Dëshmitarët e Jehovait », të paktën deri para nja dhjetë vjetësh, të vinin në derën e shtëpisë dhe nuk pyesnin se çfarë vakti ishte, trokisnin, ti hapje derën dhe ato nisnin bisedën për Jehovain sipas librushkave që mbanin në dorë ku flitej për një formë të re të besimit. Edhe sot kur dal në rrugën e shtëpisë sime, sidomos pasditeve, shoh grupe të mëdha vajzash, djemsh e grash të mbajtura shumë mirë, që tani mblidhen nëpër salla të marra me qira dhe praktikojnë besimin sipas asaj që quhet « Dëshmitarët e Jehovait ».

Ato i gjen edhe në hyrje të parkut të madh të Liqenit pranë një valixheje të ngritur në formë vitrine. E kështu, duhet të ketë qenë e shtunë ose e diel kur trokitën në portën time një djalë dhe një vajzë që mbanin në dorë një poster të vogël të kandidatit Arlind Qorri, drejtues i Lëvizjes « Bashkë ». E them që në fillim se e çmoj Arlind Qorrin si personazh publik për ndershmërinë dhe koherencën politike që shfaq. Megjithëse e kam të vështirë ta kuptoj llojin e lëvizjes së tij, e çmoj për frymën anti establishment dhe për ndjenjën e së majtës që ka ajo lëvizje dhe për prioritetin që politikën ta vërë në shërbim të një shtrese sa më të madhe dhe kundër « oligarkëve » apo të pasurve. Me këtë ndjenjë doja ta vazhdoja bisedën edhe duke i provokuar aktivistët e Arlindit, kur vajza që mbante posterin me foton e Arlindit m’u drejtua duke më thënë se ky është posteri i Lëvizjes « Bashkë » etj., etj. Mirë, u thashë, mund të ma thoni me dy fjalë se cili është thelbi i programit tuaj, fjala vjen çfarë do të bëni nëse vini në krye të Bashkisë së Tiranës?

Do të çojmë në gjyq Kullat, më tha vajza që drejtonte bisedën me një ton luftarak. Po ç’punë keni me Kullat, u thashë ? Po ato i kanë zënë frymën qytetit, kanë shkatërruar ambientin, i kanë prishur pamjen qytetit dhe aty pastrohen paratë. Po kjo është filozofia e Berishës u thashë. Ky është berishizmi. Ç’punë kini ju me berishizmin. Vajza nuk ndalonte, por vijonte me ton edhe më luftarak. Këta kanë shkatërruar vendin. Kanë shkatërruar qendrën. Ja u hodh djali që ishte nga Gjirokastra. E kini parë Gjirokastrën ? Po, i thashë. Atë qytet nuk e prishi as Enver Hoxha, As Berisha as Rama sepse ishte i strukturuar si një muze në natyre ashtu si Berati, u thashë unë. Po Tirana e dini ju si ka qenë në vitin 1930, vazhdova. Ishin italianët që ndërtuan qendrën dhe ideuan Tiranën dhe institucionet. Çfarë kanë prishur kullat ? Ja, më tha vajza që më kujtonte ato militantet e rinisë në kohën e komunizmit. Kini qenë në Pragë ? Po, i thashë. Pse nuk ka Kulla atje në qendër. Këtu, thashë me vete duhet mbyllur biseda. Dhe ashtu bëra.

Është e çuditshme se sa shpejt ngjit filozofia e destruktivizmit. Është e njohur ajo biseda e Zef Valentinit që e kujton në një nga numrat e « Hyllit të Dritës » kur një oficer malsor, aty nga viti 1800, kishte zbritur në Milano dhe kishte parë D’Uomon e famshme dhe kishte pyetur sa dinamit duhet me e hedh në erë kët bina. Është e çuditshme se si trashëgohet ky shpirt desktruktiv apo deviza për ta ndërtuar idealin tënd mbi shkatërrimin. Mesa mbaj mend, vetë Arlind Qorri është shprehur se nuk ka gjë me Kullat, por nuk do të lejojë që të ndërtohen më të tilla dhe se do të kërkojë hetim për to. Kjo është korrekte. Kurse ligjërimi i atyre dy aktivistëvë që ulërinin nëpër shkallë se do të çojnë në burg ata që kanë ndërtuar kullat është pak të thuash naiv dhe i përciptë, është më së shumti një keqkuptim fatal edhe me ligjërimin dhe narrativën politike. Ka një thënie që thotë : nganjëherë diktatura ia kalon edhe diktatorit.

Edhe në këtë rast, aktivistët e Arlindit ia kanë kaluar atij. Në Shqipëri është krijuar një ambient politik qesharak dhe ligjërimi apo narrativa që ndërtohet përsërit papushim një autor : Berishën dhe berishizmin. Berisha ndërtoi ligjërimin konspirativ që mbështetet te shpifja dhe denigrimi i kundështarit duke e akuzuar atë për një mijë e një të zeza. Pra sulmi ad hominem ka mënjanuar nga ligjërimi publik debatin mbi të dhënat. Unë do të prisja nga Lëvizja « Bashkë » që ata të kishin ose të ndërtonin një sistem të dhënash për ekonominë, problemet sociale, e të rendit. Duke qenë se më së shumti vijnë nga bota universitare dhe nga fakulteti i shkencave sociale, politike e filozofike, platforma e tyre duhet të ishte ky sistem të dhënash që mungojnë në ligjërimin publik.

Një lëvizje, në fillim, i stërvit anëtarët e vet në mbledhjen e të dhënave, në sondazhe, në punën vullnetare për të njohur çdo qelizë të Tiranës me që jemi në TIranë dhe në debatet televizive apo në takimet me zgjedhësit të mos vinin në derën e shtëpisë e të recitojnë tekstin e pështirë të Berishës, por të sjellin fletushka me të dhëna nga aksionet që ata kanë bërë vetë. Ky dembelizëm dhe kjo frymë për të bërë prokurorin dhe gjykatësin që në moshë të re, na kthen prapa në kohë dhe na kujton ato aktivitet e LRI-së në Jalë apo gjuhën agresive të tyre nëpër studiot televizive.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • populli: 10/05/2023 08:48

    pse more zoteri cfare ka tet trokasin ne dere? harrova, ti don me ta vjedh deren siç ben ndragua... boll e mbrojtje me fanatizem lal fikun se nuk te takon, ke 2 gr men sa te dallosh gjerat. ky tipi s'ka abuzuar me taksat e mia keshtu meriton nje shanc...dhe pastaj qaheni se s kemi alternativa

    Përgjigju
  • Ervis: 09/05/2023 21:20

    Ky robi eshte servil i Rames, kur studentet me Arlindin protestonin per universitetin ky robi dilte pro reformes se Qeverise.

    Përgjigju
  • Edi: 09/05/2023 19:42

    Llogjike e ftohte dhe çarmatosese,shpreh pozicionin qe çdo njeri ne moshe te pjekur dhe i pa ndikuar nga infektimi politik mendon...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë