Më 17 tetor do të mbahet në Tiranë tubimi i madh me siglën « Liria ka emër » për të kërkuar drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Organizatorët e këtij tubimi, veteranët e UÇK-së, zgjodhën Tiranën për këtë manifestim dhe ftuan aty shqiptarët nga të gjitha trojet etnike të tyre, nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi.
Mirëpo, që në fillim, PD-ja e Berishës shpalli se nuk do të marrë pjesë, pasi siç u shpreh ajo, nuk do të jetë përkrah Ramës në këtë manifestim. Më datën 16 tetor edhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, në një reagim në faqen e kësaj partie në facebook, jo vetëm e refuzuan pjesëmarrjen por edhe e akuzuan kryeministrin Rama se ai në fillim e ka mbështetur ngritjen e Speciales.
Ja çfarë shkruajnë ata : « Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën.
Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet në postimin e tyre në Facebook. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ramës «Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale…
Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.
Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj. Më pas disa media, duke u marrë me këtë argument treguan angazhimin e Ramës për sensibilizimin e kësaj padrejtësie në të gjitha organizmat ndërkombëtare ku bën pjesë Shqipëria. Por kjo ka pak rëndësi.
Ajo që të trishton është se ne, shqiptarët, nga të gjitha luftëra çlirimtare që kemi bërë, jo vetëm që nuk jemi bashkuar por kemi dalë më të përçarë. Pas luftërave kombëtare që i prinë Pavarësisë, humbëm Kosovën, Çamërinë, Plavën e Gucinë, Dibrën e rajone të tjera shqiptare që sot ndodhen në Maqedoni. Pas Luftës së Dytë botërore konsoliduam një shtet të gjymtë dhe, në emër të luftës së klasave, u përçamë edhe më shumë.
Pas viteve ’90, kur Milosheviçi nisi pastrimin etnik në Kosovë, atje u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila u bë edhe aleate e NATO-s që me ndërhyrjen e saj i dha fund pushtimit serb mbi Kosovën. Mirëpo, pasi mbaroi lufta, shqiptarët nisën gjuetinë e shtrigave dhe vijuan luftën lundër njëri-tjetrit. Akuza e kundërakuza kanë çuar në një perceptim të tillë që luftën në Kosovë e ka nisur UDB-ja dhe sot Kosovën po e drejton Serbia. Pas çlirimit të Kosovës u krijua një ambient toksik në atë vend sa të gjithë janë në garë se cili do ta shkatërrojë kundërshtarin më parë e më shumë.
Serbia ia doli që nga agresor të kthehet në viktimë dhe tani bën sehir se si grinden shqiptarët e si duan ta shkatërrojnë njëri -tjetrin. Luftën çlirimtare që bënë djemtë e Kosovës nuk ka nevojë ta paraqesë Serbia si « narkoluftë » apo si klan gansterësh sepse këtë gjë e bëjnë më mirë vetë kosovarët. Se sa të përçarë jemi nuk ka nevojë të na thonë të huajt se po e tregojmë ditën për diell.
Me këtë rast nuk dua të kujtoj se si u bashkuan dy Gjermanitë pas rënies së Murit të Berlinit pa i bërë gjyqin askujt megjithëse njëra pjesë ishte naziste dhe tjetra komuniste. Për ta, kryesore ishte Gjermania.
Tani në fund, presidentin Trump e falenderoi Bill Klinton, Hilari Klinton e plot kundërshtarë të egër të tij për atë që bëri në Gaza, pa u menduar dy herë se çfarë akuzash i kanë bërë njëri-tjetrit, sepse për ta Amerika është e para. Shikoni se çfarë bën Serbia për tre komuna në veri të Kosovës. Ndërsa ne, tani që kemi gjithë hapësirën dhe mbështetjen për të treguar se jemi një komb i madh dhe i virtytshëm, tregojmë para të gjithëve se jemi ca grindavecë të mërzitshëm që na intereson vetëm egoja jonë por jo Shqipëria. Shqipërinë dhe flamurin i duam vetëm kur djegim gomat e shtijmë fishekzjare pas ndonjë ndeshjeje futbolli, tamam si në folklorin banal që kemi mësuar.
Komente







Komunistet qe vrasin njeri-tjetrin prej 100 vjetesh dhe neperkembin shqiptarine
Përgjigju