Liria që i është dhënë një prokurori si Olsi Dado për të firmosur një urdhër ndalimi pa asnjë provë dhe qetësia me të cilën e ka miratuar këtë veprim prej kohësh Altin Dumani si dhe vulosja që i bëri këtij grushti shteti një gjyqtar si Erion Bani, tregoi hapur se rekrutimi dhe ndërtimi i dy prej strukturave më të përzgjedhura që do të hetonin korrupsionin madhor, terrorizmin dhe figura të tjera të rënda kriminale, SPAK-u dhe BKH-ja qenkan mbushur me militantë partiakë, të paaftë dhe njerëz që kanë për mision hakmarrjen dhe jo drejtësinë. 

Një investigim i botuar në gazetën Shqiptarja.com me titull « Kush është hetuesi i BKH-së që i çonte mesazhe Ajola Xoxes dhe si u katapultua nga Spitali i Fierit në hetues », nxjerr në reliev të vërteta tronditëse. Aty tregohet me fakte se fituesit e vitit 2021, 30 të parët janë katapultuar në ato poste pa pasur asnjë lidhje me misionin e BKH-së. 
Këta hetues specialë janë rekretuar me shumicë nga radhët e sekretarëve të gjykatave, nga administrata, persona të punësuar në avionin civil, ATP. etj.

I tillë është rasti i Samet Gurgurit, i cili ka punuar si jurist në spitalin e Fierit dhe që, siç u zbulua kohët e fundit, poston në profilin e tij tekste me përmbajtje revanshiste kundër të majtëve, përzjehet në debatet politike të ditës si të ishte një militant pervers. Që në krye të herës kam qenë i qartë se atentati ndaj Erion Veliajt është një lloj grushti shteti që ndodh në Republikat e brishta, me kryeminstër të dobët që është i mbështjellë me jorganin e retorikës liberale demokratike dhe që vepron si të ishte në Francën e shekullit XXII. 

Si ka mundësi që mazhornaca socialiste lejoi të ndërtohej sistemi i drejtësisë jashtë gjithë vëmendjes së saj politike dhe ua besoi atë vullneteve të një grushti juristësh që u gjendën në ato poste falë lidhjeve okulte të miqësisë, tarafit, klaneve politike dhe grupeve të ngushta krahinore. Qeveria socialiste, në emër të pavarësisë dhe të lirisë profesionale, ia besoi ndërtimin e këtij sistemi një grushti njerëzish që e shndërruan këtë investim gjigand në një tender të rëndomtë, duke shitur e blerë interesa. Kush mban përgjegjësi për këtë shfytyrim që paskan këto institucione?

Për fat të keq, si naivë dhe idiotë provincialë, të gjithë u mashtruam nga retorika vulgare që hidhej në opinion se këta hetues të famshëm që do të popullonin BKH-në do të vinin nga CIA e FBI amerikane. Në fakt na erdhën nga spitali i Fierit. Na erdhi Safeti që u çon mesazhe grave natën dhe që shprehet hapur në profilin e tij se i urren të majtët.

Ajo që e bën më skandaloze këtë gjendje është një prirje e disa mediave që financohen nga jashtë për të mos investiguar këto skandale që fshehin krimin e madh që u është bërë shqiptarëve me infiltrimin dhe me rekrutimin në strukturat e shenjta të sistemit të ri të drejtësisë të hetueseve të llojit Safet apo të prokurorëve e gjyqtarëbe të tipit Dado e Bani. 

Shoqëria shqiptare duhet të duartrokasë kur arrestohen në flagrancë për favorizim tenderash banalë dhe duhet të heshtë se u prishet terezia dhe rrezikohet pavarësia e institucioneve kur zbulon se Olsi Dado është rekrutuar në atë post duke shkelur të gjitha kriteret, se hetuesi Safet e Safetët e tjerë janë në ato poste në mënyrë korruptive. 

Cila liri shkelet nëse thuhet e vërteta?

Mirëpo nëse Erion Veliaj ulëret nga qelia ku është mbyllur pa të drejtë se ndaj tij është fabfikuar një akuzë që mbështetet mbi një letër anonime, kjo quhet retorike agresive, ndërsa të thuash që Olsi  Dado ka kryer një mashtrim të madh në fillim kur është rekrutuar dhe pastaj kur ka shkruar një tekst me gënjeshtra, kjo është ndërhyerje në pavarësinë e drejtësisë.

Është njësoj si të thuash që kur makina shtyp një njeri të akuzosh kalimtarin dhe jo shoferin, sepse shoferi ka lirinë për të vozitur, kalimtari detyrimin për t’u shtypur. Shqipëria është në një gjendje katastrofike sa u takon institucioneve të ashtuquajtura të pavarura. Kriza e rëndë që po përjeton bota dhe shkelmi që i dha Trump demokracisë liberale të ngritur mbi pavarësinë dhe profesionalizmin tregon se diçka po ndryshon. Qeveria që fiton zgjedhjet duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Nuk mund të krijohen institucione të pavarura që kanë në dorë të hedhin në erë demokracinë. Nuk mund të lihen jashtë kontrollit ato në emër të lirisë dhe të pavarësisë së institucioneve. Kështu krijohen trupa regresive që testojnë shtetin. 

Edi Rama ka plot merita në këta vjet, por ajo që i ndodhi me njeriun më të talentuar, më punëtor e më korrekt, duhet vlerësuar realisht si një grusht shteti. Edi Rama duhet ta dijë se përballë nuk ka kundërshtar që e rrezikon me vota, por ka një bandë që do të përdorë të gjitha mjetet për t’ia marrë pushtetin pa vota. Kjo që ndodhi me Veliajn është vetëm një sinjal.

Nëse pas zgjedhjve të 11 majit, socialistët që do të marrin pushtetin në shumicë, nuk mendojnë të bëjnë vetingun e plotë dhe të zbulojnë se si u përdhunua reforma në drejtësi nga rekrutime abuzive dhe si u instalua aty hakmarrja primitive politike, ky vend nuk do të gjejë qetësi.

Në anën tjetër, gjithë ata që u përzunë nga sistemi i drejtësisë për afera korruptive sot janë në krah të Berishës dhe gjithë ato prona, para, kapital që këta gjyqtarë e prokurorë vunë duke shitur drejtësinë dhe duke bërë aleancë me krimin nuk hetohen më dhe të flasësh për to sipas disa mediave që shiten me paratë e huaja si të pavarura është shkelje e pavarësisë sepse sipas një klisheje skematike e idiote mund të jesh kriminel, vrasës apo monstër, por nëse je në opozitë je automatikisht i ndershëm, sepse opozita është streha që mbron.