Kukësi është një ndër qarqet më te prekura nga shpopullimi. Sipas të dhënave të INSTAT, lindjet në këtë qark ranë me mbi 18 % vetëm në një vit, ndërsa disa shkolla janë mbyllur për mungesë nxënësish. Por mes kësaj vale të madhe emigrimi, ka nga ata që e kanë mendjen për t’u rikthyer tek rrënjët.

"Na janë ofruar shumë mundësi për të rregulluar dokumentet. Por i kemi refuzuar, se nuk kemi dashtë me e braktis fshatin."

Ilir Demaj është 36 vjeç, nga fshati Bardhoc i Kukësit. Prej shtatë vitesh punon në ndërtim në Hamburg të Gjermanisë, bashkë me dy vëllezërit.

Paratë që fiton atje i kthen në investime në fshatin e tij – ka rregulluar shtëpinë dhe ka blere mjete bujqësore për të punuar tokën.

"Vitin që vjen besoj se do ta lë Gjermaninë. Është punë e lodhshme, por jemi mësu me të. Megjithatë, nuk ka ma mirë se në vendin tend."

Iliri është baba i 4 fëmijëve, por nuk i ka marrë me vete. Beson se fëmijët duhet të rriten me kulturën dhe gjuhën shqiptare.

"Po t’i çoj në Gjermani, marrin mentalitetin e vendit, krijojnë familje. Nuk dua që të largohen nga traditat shqiptare."

Në shtëpinë e tij në Bardhoc jeton nëna, "shtylla e familjes", siç thotë ai. Babai ka ndërruar jetë shumë herët, dhe nënës i ka rënë barra e madhe e familjes.

"Kur largohem, fëmijët më thonë: Baba, rri me ne? Po kur kthehem, shtëpia mbushet me hare."