TIRANE - “Jam më shumë i lumtur për të ardhmen e kësaj partie se sa për zgjedhjet e 23 qershorit të cilat ne do t’i fitojmë. Jam i sigurt që kjo parti e cila votohet dhe mbështet nga ju pa paragjykimet e brezave të vjetër, ka një të ardhme brilante me ju e unë si një nga themeluesit e saj jam realisht i lumtur për këtë.

Kam shumë besim dhe shpresë tek ju, çdo votë e juaja e shokëve dhe shoqeve tuaja, e prindërve tuaj e cila vjen për mbështetje ndaj zhvillimit, për integrimin, për të ardhmen tonë do të jetë shumë e çmuar dhe e vlefshme”.

Kështu tha ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë një takimi që ka zhvilluar me studentët e ekonomikut në Elbasan. Ai ka hequr një paralele mes Shqipërisë 20 vjet më parë e Koresë së Veriut. Sipas Imamit, ka qenë PD që ka ndryshuar vendin.

“Hapni televizorin e shikoni Korenë e Veriut, siç mendoni ju për Korenë e Veriut sot, kanë menduar për ne shqiptarët para 20 vjetësh. Është kjo parti që ka sjellë ndryshimin.

Janë djemtë dhe vajzat e vitit ’90 që sollën ndryshimin e madh politik të Shqipërisë që themeluan pluralizmin politik, krijuan partitizmin, demokracinë dhe lirinë në këtë vend”, tha Imami. Duke evidentuar punën me rrugët dhe punësimin në këto tetë vite.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)