POLICAN, Skrapar - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka mohuar akuzat e deputetit socialist, Erjon Braçe, se në uzinën e Poliçanit prodhohen armë. Gjatë inspektimit të sotëm në Kombinatin Mekanik Ushtarak të Poliçanit, Imami ka deklaruar se për momentin në këtë kombinat vetëm po demontohen armë, kurse perspektiva e tij sipas Imamit do jetë prodhimi.

“Ju e dini që të gjithë së bashku me drejtorinë përkatëse i kemi bërë të gjitha hapat e mundshëm për ta krijuar këtë mundësi. Është e rëndësishme që ju vetë të prodhoni me cilësinë e duhur në mënyrë që produkti juaj të kërkohet dhe të shitet në një treg të hapur dhe të lirë.", u shpreh Imami.

Të gjitha akuzat e Braçes për tregti të paligjshme armësh, Imami i ka cilësuar mashtrime dhe shpifje ndërsa konfirmoi se gjithçka kryhet në këtë kombinat është ligjore. Prapa akuzave të opozitës sipas kreut të dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes qëndrojnë interesa të fshehura të trafikantëve të armëve.

Ministri tha se nga shitja e armatimeve të Poliçanit është siguruar mbi 1 milionë dollarë, ndërsa për të janë dhënë fonde dhe nga buxheti i shtetit. Dhe kjo sipas ministrit, për të mbajtur në pune kombinatin ku janë të punësuar rreth 400 punëtorë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)