“Projekt-raporti i auditit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili po kontrollon ligjshmërinë e procedurës, nuk ka përfunduar ende dhe sipas afateve të përcaktuara nga ligji për auditin e brendshëm, data 11.12.2013 është afati i fundit për dorëzimin e observacioneve nga ana e anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka audituar të njëjtat procedura për vitet 2010-2012 dhe nuk ka konstatuar shkelje. Pra kallëzimi nuk ka kaluar nëpërmjet institucioneve të specializuara te Ministrisë së Mbrojtjes, apo edhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj. Pavarësisht se hetimi administrativ nuk ka përfunduar, draft raporti i grupit të auditit nuk evidenton ndonjë shkelje te procedurës ligjore e cila mund te ndiqet penalisht.”- deklaroi Imami.
Ish-ministri Imami i kërkon kryeministrit Rama që të japë sqarime për ekspertët që kanë hartuar padinë. “Pyes zotin Rama : Kush e ka hartuar kallëzimin penal kur hetimi administrativ nuk ka përfunduar ende? Ç’është ky “grupi i eksperteve”, citoj Ministren e Mbrojtjes, kur qartazi nuk bëhet fjalë për Drejtorinë e Auditimit të Ministrisë së Mbrojtjes? Si mund të hetohen në një shtet të së drejtës qytetarë apo nëpunës të shtetit nga persona të paautorizuar nga ligji? A nuk janë këta ekspertet private të Edvin Ramës me zyrë në Partinë Socialiste dhe a nuk janë grupet famëkeqe speciale të hetimit? Kjo mënyre të punuari me “ eksperte anonim “ pa përgjegjësi publike dhe ligjore është shtrirë në të gjitha ministritë dhe institucionet e shtetit shqiptar”, theksoi Imami.
Në mbyllje të fjalës së tij, ish-ministri i Mbrojtjes nuk la pa kërcënuar as kryeministrin e vendit, Edi Rama duke pohuar se çështja e padisë ndaj tij nuk përfundon me kaq. “I kujtoj Edvin Ramës dhe të gjithë kësaj shpure se do te mbajnë përgjegjësi të plotë para ligjit. Historia nuk mbaron sot dhe këtu.”- përfundoi Imami.
Ky reagim i Arben Imamit vjen një ditë pasi Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi në një intervistë të dhënë për Deutsche Welle se padia e ngritur ndaj Imamit ishte përpiluar nga ekspertët më të mirë të fushës. Kësisoj edhe deputeti i akuzuar për korrupsion reagoi duke theksuar se këto akuza mund ti përpilojnë vetëm dy insitucione, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditi i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes.
Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)