Imami sqaron deklaratën fyese: 
Krahasimi, për meritat e Topallit

Imami sqaron deklaratën fyese: <br />Krahasimi, për meritat e Topallit
“Në listën e PD u futën gra që pjellin nga 3 a 4 fëmijë”. Kjo ishte deklarata e Arben Imamit që ka sjellë reagimin e ashpër të opinionit publik dhe jo vetëm. Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë "Berisha" është vënë në shënjestër të kritikave. 

Deklarata e tij u cilësua fyese dhe reagimi ishte masiv negativ si nga pjesa femërore e opinionit publik ashtu edhe nga ajo mashkullore.

Por sot, Imami ka reaguar në përpjekje për të sqaruar kontekstin e deklaratës së tij. Ai sqaron se krahasimin e ka bërë për shkak se jashtë listave ka mbetur një grua me kontribute në PD, si Jozefina Topalli. 

"Krahasimi im ka qenë midis meritës publike të znj. Topalli (e cila gjithashtu ka lindur fëmijë, por kjo nuk është arsyeja e meritës së saj publike) dhe mungesës së plotë të deritanishme të jetës publike të zonjës kandidate", sqaron Imami.

REAGIMI I IMAMIT
Lindja e njeriut është ngjarja më e madhe botërore. Gruaja ka detyrimin dhe fatin e madh të amësisë, por ky është një fakt natyror, dhe i përket sferës private, familjare.

Kjo nuk do të thotë se ajo është e privuar nga jeta publike – vetëm një marksiste feministe fondamentaliste si Shulamith Firestone thotë se ajo duhet ta ndryshojë këtë kusht natyror për t’u përfshirë në jetën publike.

Krahasimi im ka qenë midis meritës publike të znj. Topalli (e cila gjithashtu ka lindur fëmijë, por kjo nuk është arsyeja e meritës së saj publike) dhe mungesës së plotë të deritanishme të jetës publike të zonjës kandidate.

Shpresoj të kemi davaritur nëse ka pasur ndonjë paqartësi dhe jo aktivizëm politik në vërejtjet e bëra.
Dashamirësisht, Arben Imami!

Fyerjet e Imamit për kandidatet femra të PD
Në një intervistë të zhvilluar nga Blendi Fevziu, në emisionin Opinion, Arben Imami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, ka shpërthyer kundër kreut të PD-së, zotit Basha, në lidhje me listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit. 

“Nuk mund të hiqet Jozefina Topalli nga listat. Nuk mund të hiqet Topalli. Ai hoqi Topallin dhe vuri në listë shtëpiake që s’kanë bërë dy ditë punë se s’kanë patur kohë se kanë pjellë nga 3­-4 fëmijë”, është shprehur Arben Imami.

Gjatë intervistës Imami ka kërkuar largimin e Lulzim Bashës si kryetari i PD-së, pasi me të në krye opozita nuk do ti fitojë zgjedhjet e 25 qershorit. 

Kandidatja e PS: Na marrsh të ligat, kam tre fëmijë
Deklaratat fyese të Arben Imamit një natë më parë se Basha zëvendësoi Jozefina Topallin me gra të cilat kanë pjellë nga 3-4 fëmijë, kanë sjellë reagime të ashpra ndaj tij nga radhët e demokratëve dhe jo vetëm. 

Një nga ato është edhe kandidatja e PS në Qarkun e Tiranës, Silda Çepe, e cila ka mbajtur detyrën e shefes së kabinetit në Ministrinë e Brendshme kur drejtohej nga Tahiri. 

Çepe jep shembullin e saj, si shtëpiake dhe si grua në karrierë, ndërsa nuk kursen sulmet ndaj Imamit. 

STATUSI I SILDA ÇEPES
I nderuar benimam,
Unë jam një grua. Kam qenë shtëpiake gjithë jetën megjithëse kam punuar me kohë të plotë, sepse ti dhe benimamët e tjerë i shikoni punët e shtëpisë si punë grash. Kam lindur tre fëmijë. Nuk i kam pjellë, benimam, se lopët pjellin. Gratë sjellin në jetë fëmijë, engjëj. Fatkeqësisht disa kur rriten bëhen djaj të këqij.

Kështu pra, benimam, unë kam sjellë në jetë tre fëmijë, por kam një lajm për ty dhe benimamët e tjerë, numri i fëmijëve nuk ndikon as në profesionalizëm dhe as në shëndet mendor.
Po pse, o benimam, pse. Pse duhet ta lidhësh figurën e gruas me organet e saj riprodhuese? Se nuk është lojë e drejtë, jo për gjë, nëse ke guxim të luash.

Pra, benimam, dhe ju benimamët e tjerë, nëse një grua sjell në jetë fëmijë dhe sa fëmijë sjell në jetë, është puna e saj. A keni guxim të diskutoni profesionalizmin dhe aftësinë e një gruaje siç diskutoni ato të një burri? Se me thënë të drejtën, atë që ti dhe benimamët e tjerë e bëni nën këmishën që jua hekuros një shtëpiake, unë dhe shoqet e mia e bëjmë akoma më mirë, madje edhe duke hekurosur, edhe duke rritur 3-4 fëmijë.
Ndaj na marrsh të ligat, benimam!


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.