TIRANE- Prokuroria e Tiranës caktoi një ekspert që të përllogariste dëmet financiare në dosjen “Imami” dhe 4 ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, të denoncuar nga Kodheli për abuzime në shumë prej 1.2 milionë dollarësh, teksa orët në vijim pritet që akuza kryeqytetase të regjistrojë një procedim tjetër penal në ngarkim të ish-kryepolicit Hysni Burgaj e 9 anëtarët e komisionit të ofertave, të cilët u përjashtuan dje nga policia, por Burgaj nuk u përjashtua. Hetimi për Imamin do të drejtohet nga anëtarët e Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës. Pas kallëzimit penal nga ministrja Mimi Kodheli, dosja ishte dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, por pas verifikimeve u delegua për moskoopetencë në Prokurorinë e Tiranës.

Hetimet do të bëhen me qëllim për të parë, nëse në këtë dosje ka elementë të veprës penale atë të “shpërdorimit të detyrës”. Eksperti i caktuar do të përllogarisë dëmin e shkaktuar. Nëse gjatë hetimit prokurorët do të konstatojnë vepër penale në ngarkim të ish-ministrit, Arben Imami, ky i fundit do të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme e cila do të kërkoj edhe heqjen e imunitetit si deputet që është. Ndërkaq, zyrtaret e tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Disa nga detajet e kallëzimit penal, të cilat lidhen me datën 21 maj kur Qendra e Kulturës së Forcave të Armatosura, ka xhiruar nga buxheti rreth 1.2 milionë dollarë për llogari të një kompanie, "Zoom Event", që si për koeçidencë ishte krijuar vetëm disa muaj para këtij vendimi.

Fondi i ishte kaluar nga kjo kompani menjëherë kompanisë "PRO Image", e cila ka bërë ndarjen e fondeve, për të cilat edhe më herët deputetë të PS-së, e kanë akuzuar për shpërndarje në mënyrë preferenciale. Përfituesi kryesor i fondit me rreth 70 % ka qenë grupi mediatik Media 6. Nga ana tjetër, 9 ish-Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme janë përjashtuar dje. Përjashtimet kanë ardhur pas një auditi të brendshëm të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme.

Dy ditë më parë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në Prokurorinë e Tiranës dosjen për abuzimet me reklamat, ku kallëzohet penalisht ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori. Nga detyra janë përjashtuar ish-zëvendës Drejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi; ish-kryetari i Vlerësimit të Ofertave, Kole Kukaj; si dhe 7 atëtarë të komisionit Adelina Marashi, Liza Tafili, Klejda Plangarica, Meri Papakostandini, Besjana Martini, Islam Cenga dhe Agim Hysko. Spoti televiziv “Shqipëria pa viza” ka kushtuar 1.2 milionë euro.
 
 Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)