Import i plehrave, Rama rrëzon
Berishën, detajet e projektligjit

Import i plehrave, Rama rrëzon<br />Berishën, detajet e projektligjit
TIRANË - Kryeministri Edi Rama ka mbajtur premtimin për ndalimin e importit të plehrave. Në mbledhjen e parë të qeverisë, ai ka vendosur që me ligj të bllokojë tërësisht importin e mbetjeve në Shqipëri, duke e hequr në ligj fjalën “kufizon” dhe duke futur ndalimin tërësisht të plehrave të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Shqipëri. Në këtë mënyrë, pavarësisht se ishte lënë për t’u zhvilluar një referendum kundër plehrave, tashmë miratimi i ligjit e nxjerrë të pavlefshëm. Kështu, në mbështetje të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit dhe të ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e këtij ligji.
 
PROJEKTLIGJ
 
Për DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10463, DATË 22.9.2011,“PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

VENDOSI:
Në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
 
Neni 1
Në pikën 3, të nenit 22, fjala “... kufizon ...” shfuqizohet.
 
Neni 2
Në  nenin 48, “Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
Pika 1 formulohet, si më poshtë vijon:
Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.”.
Pika 3 shfuqizohet.
 
Neni 3
Neni 49, “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”, shfuqizohet.
 
Neni 4
Dispozitë kalimtare
1. Subjektet, të cilat, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë pajisur me autorizim për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, janë të detyruara që, për sasinë e mbetjeve që kanë importuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të përfundojnë procesin e riciklimit, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
2. Çdo dispozitë ligjore dhe akt nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
3. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikave 1 dhe 2, të këtij neni.
 
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Shkrimi u publikua sot (19.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Të rinjtë nga Gostivari në Tiranë për Paradën e shqiptarëve

Të rinjtë nga Gostivari në Tiranë për Paradën e shqiptarëve