Pse po shtrenjtohen çmimet? Shqipëria importon ushqime dhe naftë me dollarin në rritje

Kërkesa e lartë për dollarë për të importuar mallra nga jashtë kryesisht ushqime e karburant, ka forcuar pozitat e tij përballë monedhës evropiane dhe lekut.

Këtë javë Dollari amerikan ka mposhtur Euron pasi ka pasur vlerë më të lartë këmbimi në tregun vendas. Ky forcim i dollarit ndaj lekut sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj shtrenjton më tej produktet që ne importojmë (pasi do të duhen më shumë para për të blerë të njëjtat produkte. PSH. Për të blerë 1000 dollarë në fillim të muajit do të harxhoje 113 mijë lekë, ndërsa tani për të njëjtën shumë duhet të shpenzosh afërsisht 118 mijë lekë. ), dhe për pasojë mallrat që blejmë nga jashtë bëhen më të kushtueshme për tregun vendas.

“Dollari në raport me euron në periudhën 8 mujore ka një mbivlerësim me 10.3%, ndërsa euro ka rënë me 4.5% në raport me janarin. Dollari më së shumti është ndikuar nga pesha e importeve që vijnë si pjesë e furnizimeve ushqimore dhe ndikimi i tregjeve përreth nesh ka dhënë ndikim edhe në kursin e këmbimit. Kurset e këmbimit orientohen sipas vlerës së rritur të furnizimeve nga importi pasi jemi të bazuar në import dhe jo prodhim. Nëse shikojmë rritjen e inflacionit muaji pas muaj pasi qershori ishte 13.2% inflacion për produktet ushqimore dhe korriku e kishte 13.9%, pra ka dhënë ndikim rritës”, shprehet eksperti Gjokutaj.

Shtrenjtimi i dollarit i cili aktualisht po këmbehet afër vlerës 118 lekë, nga 113.79 lekë që ishte në fillim të muajit, sipas ekspertit është faktor që po rrit edhe çmimin e karburantit, pasi çmimet referencë në bursë për këtë produkt kuotohen në dollarë.

“Rritja e dollarit reflektohet edhe tek çmimi i karburantit pasi është pjesë e kostos së transportit që është shtrenjtuar më shumë se ushqimet me 19.7%, natyrshëm që të dyja së bashku ndikojnë në rritjen e kostove të jetesës”, pohon Gjokutaj.

Nga ana tjetër euro vijon të nënçmohet, pasi kërkesa është e ulët, por ekspertit thotë se ky zhvlerësim ka disa arsye.

“Pjesa e euros ndikohet nga rritja e eksporteve, nga pastrimi sistematik i parave dhe ardhjet si pasojë e turizmit, që ka arritur mirë”, tha Gjokutaj.

Dobësimi i Euros në raport me Lekun, në njërën anë ndihmon importuesit të cilët blejnë në euro dhe shesin në lekë, si dhe ata individë apo subjekte që kanë detyrime në euro dhe të ardhurat e tyre në lekë, dhe nga ana tjetër godet eksportuesit që blejnë me lekë e shesin me euro, të cilët për produktet që do të tregtojnë jashtë vendit do të fitojnë më pak si pasojë e këtij nënçmimi të monedhës evropiane.

Rënia e Euros është ndikuar ndjeshëm edhe nga lufta në Ukrainë, pasi edhe në tregjet ndërkombëtare vlera e saj është e paqëndrueshme, ndërsa investitorët po orientohen më shumë drejt dollarit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja