Në Partinë Demokratike këto ditë po zhvillohen dy ture takimesh që flasim për realitete të ndryshëm. Te njëri, janë një grup deputetësh ndër më të votuarit në zgjedhjet e 11 majit 2025 që duan të merren seriozisht me partinë, me strukturat që s’po funksionojnë, me organizimin që ka mbetur pezull, me faktin se PD-ja po humb jo vetëm zgjedhjet, por edhe kuptimin e vet politik. E gjithë kjo lloj analize, tek ky grup, nuk ngjan si rebelim por duket si një proces i natyrshëm reflektimi mbas disa humbjesh rrjesht. Si një katharsis që duhej bërë prej kohësh por që tani është kthyer në emergjencë.
Në turin tjetër drejtuar nga Berisha ndodh e kundërta. Aty gjendja nuk perceptohet si krizë, por si rrethim. Problemet nuk duken si defekte të partisë, por si sulme ndaj saj. Edhe takimet më të zakonshme të kolegëve interpretohen si lëvizje të dyshimta, edhe mosmarrëveshjet si prova e mungesës së besnikërisë. Në këtë forum nuk kërkohet riorganizim, por rend, jo ristrukturim, por rreshtim, jo doreheqje por radikalizim.
Këto dy linja sa vijnë dhe formonë dy kampe kundërshtare brenda së njëjtës parti. Të parët akuzohen se po çajnë partinë sepse po flasin hapur, të dytët mbrojnë unitetin duke mos lejuar të flitet fare. Nuk është se palët përplasen ideologjikisht, thjesht besojnë në dy mënyra të kundërta të të ndërtuarit partinë dhe mënyrën e ringritjes së saj.
Njëra palë kërkon reformën, tjetra kërkon solidaritet, njëra e shikon problemin brenda, tjetra e sheh problemin jashtë PD. Në sfond qëndron figura qendrore, e cila me një lloj elegance të ftohtë që e kanë vetëm udhëheqësit me shumë dekada në kurriz, arrin të lërë përshtypjen se çdo gjë që ndodh rrotull nuk është dramë politike, por thjesht një proces natyral i manifestimit të bukë shkalëve të partisë. Të duket sikur, për të, PD-ja është një familje e madhe që ka nevojë jo për rregulla të reja, por për bindje dhe besnikëri më të fortë.
Në fund të ditës, dy tryezat flasin për të ardhmen e PD-së, por me dy logjika të ndryshme, njëra analitike, tjetra mitologjike. E para thotë “le të shohim çfarë nuk po ecën”; e dyta thotë “le të mos prekim asgjë". Dhe ndërsa këto dy linja përplasen në të njëjtin seli, partia rri pezull në mes e paaftë të zgjedhë midis diagnozës së ndershme dhe rehatisë së mohimit për ta parë realitetin në sy.
Sot PD-ja është përballë një dileme të vjetër sa vetë historia e saj 34 vjeçare, a duhet t’i trajtojë tensionet e brendshme si rrezik, apo si kusht të domosdoshëm për zhvillim? Njëra qasje kërkon ta shohë partinë si trup që vetërregullohet përmes debatit, kritikës dhe rishikimit të roleve, tjetra e sheh partinë si një organizëm që mbijeton vetëm kur ruan kohezion të padiskutueshëm. Këto dy perspektiva përplasen sot pa një autoritet të pranuar që t’i kthejë në strategji. Për sa kohë mungon ky orientim i përbashkët, PD-ja mbetet edhe teorikisht, edhe praktikisht, një parti e fragmentuar në mënyrën se si e kupton vetveten dhe kjo e bën të pamundur shndërrimin e krizës në reformë.
Komente










