TIRANE- Bie shumë shpejt denoncimi i bërë nga Partia Demokratike ndaj Qeverisë Rama për thyerjen e embargos të Iranit. Sipas dokumentave që ka siguruar “Shqiptarja.com” rezulton se nuk bëhet fjalë për import nafte, por për “vaj bazë”, që është një produkt që përdoret për të prodhuar lubrifikantë. Gjithashtu importi është bërë vetëm nga Turqia, pavarësisht se vendi i origjinës është Irani, madje kompania që merret me këtë aktivitet ka sjellë në Shqipëri hidrokarbure nga ky destinacion që nga fillimi i vitit 2013, pra edhe në kohën kur në krye të qeverisë ishte Sali Berisha. Madje nga 14 importe të kryera, vetëm 5 janë bërë gjatë periudhës kohore të qeverisë aktuale, ndërsa 9 të tjera janë bërë në kohën e qeverisë së mëparshme.

Kështu krerët/nënkrerët tariforë ku klasifikohet artikulli “hidrokarbure”, 2709, 2710, 271111-271119, rezultojnë të jenë importuar në Shqipëri me origjinë Iranin dhe vend eksportues Turqia, për vitin 2013 në 14 raste në të cilat është deklaruar artikulli vaj bazë në sasinë totale 300,710 kg. Në të gjitha rastet e sipërpërmendura kompania importuese është një kompani shqiptare dhe dogana zhdoganuese është dega doganore Tiranë. Kështu periudhës shtator 2013 e në vazhdim (në 2014-ën nuk ka) i  përkasin 5 DAV të cilat kanë vend eksportues Turqinë. Artikulli i deklaruar vaj bazë në sasinë 109,100 kg. Dogana hyrëse është Qafë Thanë dhe ajo zhdoganuese është Tiranë. Në periudhën janar-gusht 2013 kanë qenë 9 raste identike.

Eksportuesit e të gjitha DAV-eve nuk rezultojnë në listën e disponuar të Rezolutës Iraniane. Në tabelën e botuar paraqiten të gjitha importet e këtyre krerëve me origjinë Iranin për gjithë vitin 2013 deri më tani.Vaj bazë dhe naftë janë dy artikuj të ndryshëm në nomenklaturën e mallrave. Nga QKR rezulton që subjekti importues (emrin botohet për arsye të ruajtjes së privacisë) të jetë themeluar dhe regjistruar në vitin 1999, në formën ligjore “shoqëri anonime”. Objekti i aktivitetit është import dhe eksport përpunim, paketim dhe shitje me shumicë dhe pakicë vajrash lubrifikante, aditiv, antrifiz, aksesore etj.

Çfarë është vaji bazë
Vaji bazë përfaqëson komponentin mbizotërues në shumicën e lubrifikantëve. Produkti i përfunduar mund të përmbajnë 70-99% të naftës bazë. Cilësia e vajit bazë është e lidhur ngushtë me llojin e papërpunuar dhe procesin e përdorur. Vajra bazë mund të jenë të natyrave të ndryshme: Minerale, Jo konvencionale dhe Sintetike. Në kohët e fundit, përdorimi i këtij produkti është në rritje, sidomos në fushën e vajrave motorike.

Shkrimi u publikua sot,9 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)