Në prezantimin e raportit të PS para Kuvendit për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, Ulsi Manja tha se kërkesa duhet të shoqërohet me një relacion për provat ku mbështetet organi i akuzës. Ai tha se akuzat ndaj Ballukut nuk kanë ndryshuar, pasi:

“Nuk ka akuzë për korrupsion;

Nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë;

Provat mbi të cilat mbështetet kërkesa janë në thelb, të njëjtat prova që kanë qenë në dispozicion të gjykatës në mometin kur ajo vendosi masën e sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit. Deputetja ka respektuar masën e sigurimit”, tha Manja.

Ai shtoi se Kuvendit po i kërkohet të marrë atribute gjyqësore dhe të zëvendësojë një masë më të lehtë me arrestin me burg.

“Sot na kërkohet të autorizojmë zëvendësimin e kësaj mase sigurimi me një masë shumë më të rëndë që cenon lirinë personale kur gjykata në fjalë ka folur me të njëjtat fakte. Sipas Kodit të Procedurës Penale zëvendësimi i masës kërkon rrethana, prova të reja ose të jetë konstatuar shkelja e masës së sigurimit të vendosur më parë”, tha Manja.

Manja ritheksoi në fund qëndrimin e PS për rrëzimin e kërkesës së SPAK duke thënë se nuk është evidentuar domosdoshmëria e masës. Gjithashtu në raportet e GJKKO e SPAK ai tha se kjo vepër trajtohet pa masë sigurimi.

“Në këto rrethana, në respekt të këtij kuadri kushtetues, procedurial e ligjor, i sugjerojmë sot këtij Kuvendi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit me arrest në burg ose në shtëpi. Nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport me funksionin parlamentar. Kemi marrë në konsideratë edhe faktin see standardet e vendosura nga GJKKO e SPAK në raportimet vjetore e trajton këtë vepër penale, pa masë sigurimi fare dhe jo më të kërkohet sot për një anëtar të parlamentit të Shqipërisë, zëvendësimi i kësaj mase me masë më të rëndë. Ky qëndrim yni nuk ndikon në vijimin e hetimit penal sepse Balluku është nën hetim nga SPAK që nga gushti i vitit 2024 me masë sigurimi në fuqi që prodhon pasoja juridike si ndalimi i daljes jashtë shtetit”, tha Manja.


Lajmi kryesor:

PS nuk dorëzon Ballukun, rrëzohet me 82 vota kërkesa e SPAK për arrestin! PD bllokon foltoren, jashtë protestë! Mbyllet seanca