In memoriam/ Kujtimet e artistëve shkëputur nga libri që do të botohet për Françesk Radin

In memoriam/ Kujtimet e artistëve shkëputur nga libri që do të botohet për Françesk Radin

Françesk Radi

Franko muzikant e unë regjisor, ngujuar të dy në atë qytezë sharrëxhinjsh, me ca gaca arti ndezur, që nuk na linin të ngrinim më tej nga të ftohtët dhe frikërat e kohës.

Me Frankon na lidhi fati i përbashkët apo fatkeqësia që shkuam në Fushë – Arrëz fill pas plenumit të 4 të KQ  të partisë më 1973. Unë isha pedagog i ri , Franko ishte instrumentist, kishte mbaruar institutin e lartë të arteve, dhe ashtu le ta quajmë të dëbuar apo të ndëshkuar,  ky fat na bëri bashkë.  I vetmi njeri ku unë gjeta si të thuash ngushëllim, një dikë me të cilin të ndaja dëshpërimin tim ishte Françesk Radi. Fillimisht fjetëm së toku në një barake druri nga sharrat e Pukës, me vrima dhe me të çara. Kishim shumë ftohtë. Viti 73, nëntori ka qenë me të vërtetë  shumë i  ftohtë. Dëborë, në Fushë – Arrëz fryn edhe erë, dhe ashtu e shtymë.

Më pas unë u caktova drejtor i shtëpisë së kulturës së Fushe – Arrëzit.  Improvizuam në pas skenë, në një nga studiot e kësaj qendre kulturore një dhomë  ku mund të flinin.  Dhe atje, të them të drejtën, njoha më gjerë, më thellë shpirtin e tij, një shpirt i butë, shumë solidar, njeri i qetë. Dhe nuk më hiqet nga mendia, pasi dhe unë kisha pasion muzikën, por ai ishte instrumentist dhe një kantautor i njohur i asaj kohe. Kishte bërë disa këngë të cilat ishin bërë hite në periudhën e viteve ’70. Dhe ashtu e mbaj mend që mbrëmjeve ndoshta me zë të ulët ai ulte kokën në kitarë, i binte kitarës, humbiste atje bashkë me mua.  

Ai muzikant e unë regjisor, ngujuar të dy në atë qytezë sharrëxhinjsh, me ca gaca arti ndezur që nuk na linin të ngrinim më tej nga të ftohtët dhe frikërat e kohës. Me Frankon ndenjëm dy vjet në dhomë së bashku. I  binim kitarës, ai solo e unë akompanjim, pastaj ai ia niste me Çelentanon. O Zot një  mrekulli, ai zë që me dukej më  i plotë e më i butë se vetë Çelentanua, idhulli ynë, natën  vonë, kur njerëzit strukeshin në shtëpitë  e tyre, lëre pastaj kur binte borë e frynte murlani, këndonim pa frikë, treteshim në ata tinguj, harroheshim fare, si një çlirim mes frikës dhe lumturisë…  E ç'të  bëje tjetër veçse të mahniteshe me zërin e papërsëritshëm të Frankos, krejt i veçantë dhe i butë si kadife.

Françesk Radi ( në mes )

Në mendje e kam zërin e tij, afër timbrit të Çelentanos,  dhe pjesën e vet origjinale teksa këndonte këngët e artistit të madh italian, të cilat vinin shumë ngrohtë. Dhe me sa duket nëpërmjet kitarës, muzikës, Çelentanos dhe gjithe këngëtarëve të mëdhenj italianë ai arriti të krijonte atë katarsis të domosdoshëm të vetes së vet por edhe për mua  e shokët e tjerë. U prefsh në paqe miku im i paharruar! Ja ku jemi sërish bashkë FRANKO!... E sheh, po këndojmë si atëbotë... Të përqafoj me mall, mik i "ajërt"....
Frankua erdhi në Fushë - Arrëz  edhe si kantautor, pasi kishte bërë disa këngë hite si ‘ Bicikleta”, “ Adresa “  dhe gjithë rinia i këndonte. Frankua ishte një njeri i njohur dhe në Fushë – Arrez, por ama të gjithë e tregonin me gisht.

Dhe desha të tregoj edhe një histori tjetër të vogël që është e imja edhe e Frankos, nuk e lejonin të dilte në skenë, pasi mendohej që ky ishte një njeri i ndëshkuar, i çuar atje për gabime ose shfaqje liberale në muzikë etj etj. Në një vizitë të presidentit të kohës, Haxhi Lleshi, unë fola fjalët më të mira për Françeskun duke i dhënë mundësinë e daljes në koncert. Në këtë mënyrë Franko do të prekte rishtazi skenën dhe e mbajti atë skenë të vogël të Fushë – Arrëzit, më pas në Pukë në koncerte të shumta deri sa e rimori veten përsëri.Dhe kështu pak nga pak ai e  ripërtëriu veten dhe ndërtoi atë katarsis të domosdoshëm për të qenë në fushën, në pasionin e muzikës që kishte.   Dhe ky njeri që ishte aq i ëmbël, aq i butë, durues gati me një durim Sokratian, do ta quaja unë, e priti fatin ballë për ballë, nuk u ankua, nuk u qa, qëndroi dhe punoi aty dhe fakti që Franko e mori shumë seriozisht edhe nga pikëpamja muzikore trevën folklorike muzikore të Pukës, e cila u bë element dhe qenësi e muzikës së tij, që u shfaq deri vonë, deri vonë ai ka shfrytëzuar motivet që vinin nga folklori i Pukës. I ka përpunuar dhe ndoshta është mjeshtri dhe përpunuesi më i mirë për ta ngritur në nivelet e muzikës së kultivuar origjinale shqiptare . Vetë madje mësoi çiftelinë dhe organizoi, ngriti në këmbë orkestrina të reja të vogla popullore. Ajo kitara e Frankos ishte shumë e mirëpritur edhe nga ata pukjanë të mirë, të dashur, të vendosur në ato zona, sepse ky ishte një instrumentist ndryshe, ishte një muzikant ndryshe, që dallonte fund e majë në gjithë traditën që ai rreth kishte. Dhe fati ja solli mbarë më pas. Atje u njoh me Teftën, e cila i dha zemrën, por i dha edhe mirënjohje si me thënë. Dhe bëri një akt të jashtëzakonshëm do ta quaja Teftën, duke e ditur që Frankua nuk ishte i mirëseardhur aty. Dhe ndërtoi dashurinë e saj, familjen e saj, i dhanë krahë njeri – tjetrit, ndërtuan solidaritetin e tyre dhe ja më në fund Frankua pas shumë e shumë peripecive, mbriti në Tiranë dhe u bë ai qe ishte dhe që meritonte të ishte, një nga kantautorët më të shquar shqiptar, tejet origjinal, sigurisht një këngëtar me zë origjinal, dhe një kompozitor mjaft i mirë që arriti të çojë në sipërani vlerat e kulturës sonë muzikore popullore folklorike, por dhe më gjerë. Jam shumë i prekur me largimin e tij të befasishëm. Nuk mund ta mendoja dot. E pashë tek vraponte në Akademinë e Arteve, u takuam shkarazi rastësisht. Një njeri i gjallë, optimist, dinamik. Ja që fati i tillë është, por ai u prehtë në paqe atje ku është sepse ka gjithë  simpatinë e mijra e mijra shqiptarëve që do ta mbajnë në memorien e në mbamendjen e tyre jo thjesht personale, por dhe në mbamendjen apo memorien kulturore artistike shqiptare. U prefsh në paqe miku im i paharruar! Ja ku jemi sërish bashkë FRANKO!... E sheh, po këndojmë si atëbotë... Të përqafoj me mall, mik i "ajërt"....

Josif Papagjoni *kritik i artit  dhe letërsisë

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025