In Memoriam/2shkurt/2015/ATSH/ Kujtojmë sot, në ditën e lindjes, "Artistin e Popullit", Sulejman Pitarka, protagonist i mbi 50 roleve në teatër dhe rreth 20 roleve në kinematografi. Ai kujtohet nga publiku për secilin nga këto role, të vlerësuara nga kritikët si realiste dhe të qenësishme. Sulejman Pitarka, është një nga aktorët e panteonit të teatrit shqiptar. Në historinë e dramaturgjisë shqiptare, Sulejman Pitarka zë një vend të spikatur si dramaturg dhe pedagog i aktrimit të shkollës shqiptare në Akademinë e Arteve.
Të gjitha rolet e Sulejman Pitarkës janë vlerësuar nga kritika shqiptare si portrete origjinale, që aktori i krijoi me zërin dramatik, inteligjencën e vlerësimit të personazhit, spontanitetin dhe plastikën në aktrim.
Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës se spikatur në dramaturgjinë shqiptare, "Familja e Peshkatarit. Në vitin 2005, u ngjit me shumë sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me interpretimin e shkëlqyer në dramën "Pjata e drunjtë", që mund të quhet krye roli i tij në moshën 82-vjeçare.
Për nder të tij "Çmimi i Madh" i Festivalit të Teatrove në Dibër të Madhe, duke filluar që nga viti 2007, vit kur Pitarka u nda nga jeta, do të ri-titullohej, "Çmimi i Madh Sulejman Pitarka".
Për meritat e tij artistike Sulejman Pitarka është vlerësuar me titujt e lartë "Artist i Popullit" dhe "Mjeshtër i Madh " si dhe "Qytetar Nderi" i Dibrës.











