Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa tha se Rama ka mashtruar qytetarët me projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas të vjedhur nga Katari. Përmes një video krahasuese, Zhupa shkruan se Rama vazhdon talljet me shqiptarët duke ju treguar përralla me kopje 3D.
“Projekti që prezantoi Rama i hekurudhës Tiranë-Rinas- Durrës është i vjedhur nga hekurudha e Katarit në Doha e prezantuar në 2016, lehtësisht e aksesueshme në youtube. Rama vazhdon talljet me shqiptarët në ditët e fundit në qeveri duke ju treguar përralla me kopje 3D.
Asgjë nuk ka në plan të nis ashtu siç asgjë nuk bëri në 8 vjet!
Rama ka dështuar!
Shqiptarët nuk besojnë më tek mashtrimet dhe propaganda boshe. Më 25 prill ai humbet dhe gjithë Shqipëria Fiton”, shkruan Zhupa.
Ditën e sotme Edi Rama publikoi një projekt në 3D se si do të jetë hekurudha e re Tiranë-Rinas-Durrës.
Kjo hekurudhë do të ndërtohet në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim. Ky investim do të kap shifrën e 90.45 mln euro dhe pritet të përfundojë në 2023. Projekti parashikon rehabilitimin e linjës ekzistuese të hekurudhës si dhe shtohet një linjë e re hekurudhore prej 5.7 kilometrash, e cila do të lidhë nyjën me aeroportin e Rinasit. Ky projekt mund të kishte përfunduar përpara disa vitesh, por u pengua nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili anuloi kontratën e firmosur nga kryeministri Fatos Nano në vitin 2004. Konkretisht, në vitin 2004 ish kryeministri Nano, nënshkroi një kontratë me kompaninë amerikane General Electric për ndërtimin e linjës hekurudhore elektrike Tiranë-Rinas-Durrës, me kosto 90 milionë dollarë, që do të financohej nëpërmjet një kredie të marrë nga një bankë e huaj. Ky projekt u kundërshtua nga opozita demokratike, pasi për ata nuk kishte leverdi.