Inaugurohet Bulevardi i Ri
Rama: Merita i takon "Lali Erit"

TIRANE - Pas sheshit "Skënderbej", sot u ndezën dritat e segmentit të parë të Bulevardit të Ri të Tiranës.

Në ceremoninë e përurimit që u pasua edhe nga një koncert festiv për mijëra qytetarë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësuan projektin e bulevardit si një nga projektet më transformuese për kryeqytetin.

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që ka vota për të sjellë ndryshimin.

“Për të gjithë ata që mendojnë se nuk ia vlen të votosh, sepse të gjithë në fund fare janë njësoj, në qoftë se të gjithë do të ishin njësoj dhe në qoftë se vota nuk do të kishte asnjë vlerë, ne nuk do të ishim këtu dhe në vendin tonë do ishin ferrat, plehrat dhe gjithë kafshët dhe insektet e gjora në një gropë të zezë, siç ishte kjo zonë deri kur Tirana vendosi të votojë Erionin dhe deri kur njerëzit, ata që bënë detyrën e tyre duke dhënë gjykimin e tyre, ndërruan drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Patjetër që meritat për këtë tjetër vepër fantastike i takojnë Lali Erit dhe ekipit të tij, por Lali Erin si Erion e lindi nëna, ndërsa si kryetar e polli vota. Kështu që, të gjithë ata që thonë se s’ia vlen të shkosh të votosh, se ky muhabet është kot, të gjithë janë njësoj, bëjnë mirë që të hapin sytë dhe të shikojnë se e vërteta është ndryshe”, tha Rama.

Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi Bulevardin e Ri tregues të ritmeve të shpejta me të cilat po ndryshon kryeqyteti. Ai tha se ndryshe nga dy vite më parë kur gjithçka dukej e pamundur, tashmë ndërtimi edhe i kësaj aorte të re të kryeqytetit është një realitet.

Nga 2011 e deri në shtator 2013, Luli e Saliu patën dy vjet për të bërë realitet këtë projekt. Dhe e dini sa bënë? Më pak se 1%! Në dy vjet me Edi Ramën kryeministër ne kemi realizuar mbi 50% të punimeve! Kemi përfunduar parkimin nëntokësor me 328 vende, kemi përfunduar segmentin e parë me një gjatësi prej 450 metrash me korsi për biçikleta e për makina, por edhe me hapësira për këmbësorë dhe hapësira të gjelbëruara, ku janë mbjellë mbi 300 pemë e më shumë se 250 shkurre dekorative. Deri në fund të vitit që vjen do të kemi përfunduar të gjithë këtë vepër, duke arritur në Lumin e Tiranës, ku Bulevardi do të bashkohet me parkun e Lumit të Tiranës dhe eventualisht me Unazën e Madhe”, tha Veliaj, duke shtuar se kjo zonë ka tashmë potencialin e jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një nga lagjet më të bukura të Tiranës.

Veliaj u shpreh se ndihet me fat që ka mundësinë që në çdo moment të ketë ndihmën e pakursyer të kryeministrit Rama.

Jam shumë i privilegjuar që m’u dha pikërisht mua mundësia që ta përkthej vizionin e Edi Ramës në punë konkrete për qytetin dhe të vazhdoj punën për transformimin e Tiranës aty ku e la Edi Rama përpara se bashkia të binte në gjumë. Por ndihem me fat, edhe për faktin që në çdo moment të punës time kam pasur ndihmën e pakursyer të njeriut të cilit qyteti i është borxhli për këtë vizion”, tha ai.

Teksa u shpreh i emocionuar që si kryetar bashkia ka mundësinë që të realizojë këtë projekt të rëndësishëm për të ardhmen e kryeqytetit, Veliaj tha se ky është ndryshimi mes atyre që janë të fokusuar tek puna dhe atyre që duan gjumë.

E kam vrarë shumë mendjen sesi paraardhësi im, që sot kërkon votën për t’u bërë kryeministër, u dorëzua aq shpejt e s’bëri as përpjekjen më të vogël për ta realizuar këtë vepër, apo për të lënë një gjurmë sdo të vogël në Tiranë. Sepse një vepër si kjo është mundësia më e mirë që ka një kryetar bashkie për të lënë një gjurmë në historinë e një qyteti. Që 50 apo 100 vjet nga sot, kur qytetarët të ecin nëpër këto hapësira, t’i kushtojnë një mendim të mirë atyre që punuan e u lodhën për t’i dhënë një projekt të bukur qytetit. Çfarë vlerësimi më të madh mund të ketë për një shërbëtor publik? Ky, miqtë e mi, është ndryshimi mes nesh dhe atyre. Është ndryshimi mes punës dhe gjumit, mes ndërtimit të shtetit dhe shkatërrimit të shtetit. Mes ndjenjës së përgjegjësisë publike dhe gjakimit pas pushtetit për hir të pushtetit”, tha ai.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Kupa e Botës/ Lara Colturi grumbullon pikë të tjera për Shqipërinë, renditet e 13-ta në Austri

Kupa e Botës/ Lara Colturi grumbullon pikë të tjera për Shqipërinë, renditet e 13-ta në Austri