Avokati i Klodian Zotos, biznesmenit të shpallur në kërkim për incineratorët, tha në gjykatë se nuk beson tek procesi i rregullt ndaj klientit të tij. Ardian Leka tha se Zoto ka ofruar vetëm konsulencë si avokat ndërkohë që prej vitesh po i bëhet gjyq publik. Nga ana tjetër avokati theksoi se vendimet për inceneratorët janë miratuar nga qeveria dhe jo nga ministra të përveçëm.  

Avokati i biznesmenit Klodian Zoto kërkoi pafajësi në seancën e radhës për konkluzionet e mbrojtjes në procesin për incineratorin e Elbasanit. Ardian Leka, që në fillim tha se e ka humbur besimin tek një proces i drejtë ndaj klientit të tij për shkak të përdorimit të emrit për një kohë të gjatë në media.

"Nuk guxoj të them se Klodian Zoto është burrë i mirë, gjyqi ndaj tij është bërë publikisht, ky proces është i paragjykuar. Nuk kam ndonjë shpresë për një proces të rregullt.’- tha Leka.

Në konkluzionet e mbrojtjes për Elbasanin, avokati foli edhe për heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt, që SPAK e quan mikun e klientit të tij, Klodian Zoto.

‘U bë një gjyq mediatik, politik dhe publik me rastin e një ish-ministri apo deputeti duke i hequr imunitetin. Pak ditë më parë Kuvendi për të njëjtat prova, të njëjtët të akuzuar me të njëjtët emra, vendosi heqjen e imunitetit. Fajësia është shpallur publikisht dhe mediatikisht, qytetarët e kanë mësuar tashmë.’- u shpreh Leka.

Avokati theksoi se vendimet për inceneratorët janë miratuar nga Këshilli i Ministrave.

"Nëse e ka imponuar ministrin dhe si e ka bërë. Komisioni mund të ketë marrë vendim të ligjshëm, dhe këtu akuzohen anëtarët se "kanë menduar gabim". Nëse është kështu, komisioni nuk është hallka e fundit, në fund vendos Këshilli i Ministrave. Edhe ata paskan menduar gabim, por pse s'janë këtu atëherë? Kush janë aktet që e bëjnë vendimin e koncesionit të paligjshëm? Derisa vendimet janë marrë me VKM?".- tha Ardian Leka.

Avokati i Zotos tha se prokuroria duhet ti sqarojë gjykatës ku ndodhet fakti penal pasi biznesmeni ka dhënë vetëm konsulencë, madje shtoi se në shkresat zyrtare që ndodhen në dosje, klientit të tij i drejtoheshin me termin "Z. Avokat".

Mbrojtjen në gjykatë e paraqitën edhe Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri dhe Serafin Papa të cilët kërkuan pafajësi. Më herët konkluzionet i kanë lexuar edhe Lefter Koka, Alqi Bllako e Jonida Zeqo ndërsa nga të akuzuarit e inceneratorit të Elbasanit, pritet të japin sqarime njëra prej kompanive të sekuestruara si dhe Mirel Mërtiri përmes avokatëve të tyre. Konkluzionet e tyre u lanë për të enjten e ardhshme.