TIRANË- Në një konferencë me gazetarët deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha se do të bëjë një kallëzim të ri në SPAK në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Kryemadhi ka publikuar disa pamje me dron ku thotë se 15 hektare është harta e depozitimeve të dhërave nga kompanitë e ndërtimit, sipërfaqe e cila është jashtë territorit të landfillit.

Sipas Kryemadhit inceneratori ka marrë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, të cilat vetëm me depozitimet e dherave jashtë kufirit kanë mbushur një sipërfaqe me 15 ha.

‘Këtë gjë mund ta kishin bërë shumë mirë dhe SPAK, Komisioni Hetimor Parlamentar, Kontrolli I Lartë I Shtetit, media, apo cdo institucion I brendsëhm apo I huaj, qeveritar apo organizatë jo fitimprurëse, që ka objekt të veprimtarisë ka luftën kundër korrupsionit dhe transparencën. 15 Hektarë është harta e depozitimeve jashtë territorit të landifillit; pra inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit  kanë mbushur një sipërfaqe me 15 Hektarë. Edhe liqenet janë bërë tokë.’- tha Kryemadhi.

Më tej në fjalën e saj Kryemadhi tha se kompania koncesionare nuk monitorohet në lidhje me punën e saj, ndërsa shteti vijon që të kryejë pagesat.

‘Kontrata e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës funksionon vetëm për të paguar koncesionarin ndërkohë, që nuk ka asnjë përmbushje detyrimi nga koncesionari. Qeveria nuk ka ndaluar pagesat, ndërsa ka qenë në dijeni për mosfunksionimin e NJZP nga raporti Supervizorit të punimeve. Erion Veliaj ka zgjedhur të mos çojë përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë në NJZP, ndërkohë ka vijuar pagesat për shërbimin e faturuar me 29 Euro/Ton. Shërbim ky që nuk mund të ofrohej, pasi, vetë NJZP e ka konstatuar se projekti nuk është realizuar.’- tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi e firmosi Live para gazetarëve 17 faqe të kallëzimit të ri për inceneratorin e Tiranës, të cilin tha se do ia nisë me postë Prokurorisë së Posaçme.

Nga ana tjetë SPAK po kryen hetime në lidhje me inceneratorin e Tiranë dhe pak ditë më parë GJKKO firmosi 15 masa sigurie. Dje (11 dhjetor) Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e sigurisë dhe vetëm një punonjësi të QKB Jetmir Llapajn, nga arrest me burg, i caktoi ‘arrest shtëpiak’. Të akuzuarit mohuan të kenë favorizuar pronarët e kompanisë koncensionare, Zoto e Mërtiri. Lefter Koka në gjyq tha se është viktima e Berishës dhe partisë së Metës. Në 15 masat e sigurisë të firmosura nga GJKKO, me kërkesë të SPAK, 3 janë në kërkim, biznesmenët, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri dhe Erjon Murajt anëtar i komisionit të dhënies së koncensionit. 2 të fundit janë dënuar në mungesë nga GJKKO për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.