Inceneratori i Tiranës/ GJKKO lë në fuqi 14 masat e sigurisë, vetëm 1 lehtësim! Koka: Jam viktimë e Saliut dhe PL-së! Bllako: Makinerinë 120 mijë euro për gazimin e pijeve s'ma bleu Zoto

Tirane- Gjykata e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat për 14 personat e hetuar nga SPAK në lidhje me koncensionin për inceneratorin e Tiranës. Masa e sigurisë është ndryshuar vetëm për Jetmir Llapajn, anëtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit, i cili nga “arrest në burg” është lënë në “arrest shtëpie”. 

GJKKO ka lënë në burg 5 të arrestuar si Taulant Tusha, Namir Simirxhiu, Bledar Karoli, Lefter Koka dhe Alqi Bllako ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. Ndërkaq, të akuzuarit Erjon Murataj dhe biznesmenët, pronarë të koncesionarit "Integrated Energy B.V SPV” Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se të gjithë të pandehurit kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK. Shumica prej tyre kanë folur vetë në seancë duke pretenduar se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin. Ndërkohë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i dënuar për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit, (6 vite 8 muaj burg për Fierin dhe 5 vjet e 8 muaj burg për Elbasanin) këtë radhë u paraqit në Gjykatën e Posaçme për një tjetër akuzë që SPAK i ngarkon për inceneratorin e Tiranës, atë të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Gjatë fjalës së tij Koka ka deklaruar se akuzat e ngritura për të dhe stafin janë ngritur në bazë të opinionit politik dhe mediatik. Report Tv ka siguruar dëshminë ku Koka e konsideroi veten si “viktimë” të Berishës dhe Partisë së Lirisë të cilën e etiketon si "partiçkë e vogël".

“Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”- është shprehur ai.

Ish-deputeti Alqi Bllako, i cili në funksionin e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv mohon që biznesmenëve të kompanisë koncensionare të inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV”, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, t’i ketë kërkuar t’i blejnë një makineri birre me vlerë rreth 120 mijë euro, për fabrikën e babait të tij në Ersekë. Në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha:

“Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”.

Bashkë me ish-ministrin e ish-deputetin, në Gjykatën e Posaçme u shfaqën edhe anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit e dy punonjës të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Të gjithë mohuan që të kenë favorizuar për tu shpallur fituese shoqërinë koncensionare, duke pretenduar se komunikimet me Klodian Zoton e punonjës së kompanisë së tij, janë normale mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve. Por gjyqtarja nuk u bind dhe anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit me përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, e Energjisë, e Financave dhe Bashkia e Tiranëas u lanë në burg dhe po ashtu në fuqi u lanë edhe masat arrest shtëpie për gratë e akuzuara. I vetmi që mundi të marrë lehtësim mase ishte anëtari i Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Hetimet për inceneratorin e Tiranës
SPAK hetoi kontratën e koncesionit të 31 gushtit të vitit 2017 e lidhur midis Ministrisë së Mjedisit, që në atë kohë drejtohej nga Lefter Koka, dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria Integrated Technology Services” në pronësi të Klodian Zotos, por që sipas SPAK pas koncesionarit qëndrojnë të njëjtë persona Zoto e Mërtiri. 

SPAK ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përdorën persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë. Zoto dhe Mërtiri, përfituan përmes faturave tatimore të falsifikuara, 409 milionë lekë, thotë SPAK, dhe akuzon 7 anëtarët e komisionit të dhënies se Koncesionit se i kanë favorizuar, bashkë me Lefter Kokën e Alqi Bllakon, që ndodhen në qeli për Inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, 7 anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë propozuar dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës shoqërisë së Zotos e Mërtirit “pa hartuar një raport përmbledhës dhe pa u sqaruar ende kostot e projektit”.

Më tej thotë SPAK, Lefter Koka si ministër i Mjedisit, Alqi Bllako si sekretar i përgjithshëm në Ministri, drejtoresha juridike Alba Thoma dhe përgjegjësi i prokurimeve në ministri Bledar Karolin “kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave”.

Shoqëria e Zotos dhe Mërtirit, thotë SPAK ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit. SPAK thotë se të njëjtët zyrtarë nga ministri Koka deri te 7 anëtarët e komisionit të koncesionit, kanë pajisur shoqërinë me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, “me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”

SPAK thotë se dokumentet standarde të koncensionit nuk janë hartuar nga anëtarët e komisionit, por nga vetë punonjës të shoqërisë së Klodian Zotos të cilat më tej janë hedhur në sistemin e prokurimit publik sikur t’i kishin hartuar vetë. SPAK i akuzon anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit se i kanë përllogaritur kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Është caktuar masa e sigurisë 'arrest me burg' për:
1- Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit,- 'Arrest me burg'- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre' (Masa iu komunikua në burg) 
2- Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, - Akuzohet për 'Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë'
Masa iu komunikua në burg
3- Mirel Mërtiri, pronari i Albteckenergy - Në kërkim - Akuzohet për 'Mashtrim' e 'Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale' (në kërkim)
4- Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare, - Në kërkim - Akuzohet për  'Mashtrim' (në kërkim)
5- Erjon Murataj, anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës,- Në kërkim -  Akuzohet për 'Shpërdorim detyre' (në kërkim)
6- Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë, arrestuar- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre' (i arrestuar)
7- Taulant Tusha drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, i vetëdorëzuar- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre' (i arrestuar)
8- Namik Simixhiu, Ish anëtar i  Komisioni Prokurimit Inceneratorit të Tiranës, arrestuar- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre' (i arrestuar)

Iu është komunikuar masa 'Arrest shtëpie':
9-  Jetmir Llapaj punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, arrestuar- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'
10- Pëllumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, i komunikohet masa 'arrest shtëpie',- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'
11- Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, - Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'
12- Valbona Ballgjini, anëtare e Komisionit të dhënies së koncesionit,- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'
13- Sidita Temali, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, - Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'
14- Etleva Kondi, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, - Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'
15- Silena Tola, punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit,- Akuzohet për 'Shpërdorim detyre'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:12
Hetimi për inceneratorin e Tiranës, GJKKO lë në fuqi vendimin për 14 të dyshuar, ndryshon masën e sigurisë për Jetmir Llapajn

1702292444_page.jpg

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 14 personat e dyshuar për inceneratorin e Tiranës. Vetëm për Jetmir Llapajn, anëtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit, ka ndryshuar masa e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie. Për 5 është konfirmuar masa e sigurisë arrest në burg, kurse 7 të tjerë janë lënë në masë sigurie 'arrest shtëpie', ndërsa 3 persona janë në kërkim ndërsa për to ka masë sigurie arrest në burg. Për Lefter Kokën, Alqi Bllako, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri është caktuar masa arrest në burg. “Arrest në shtëpi” për Pëllumb Abeshin, Etleva Kondin, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Koplikun, Silena Tolën dhe Jetmir Llapajn

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

Ora 15:21
Inceneratori i Tiranës, të akuzuarit mohojnë akuzat e SPAK: Kemi bërë detyrën! Alqi Bllako: Makinerinë për babanë kam blerë vetë, disponoj faturë

1685607682_finalprojekt.00563911.Still041.jpg

Të gjithë të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK. Shumica prej tyre kanë folur vetë në seancë duke pretenduar se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.

Mes tyre ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha:

“Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”.

Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.

Ora 15:18
Seanca për inceneratorin e Tiranës, Koka në GJKKO: Jam viktimë e Saliut dhe partiçkës së vogël! Akuzat ndaj meje, politike

1693997728_lefterkoka.jpg

Gjatë fjalës së tij në seancën ku GJKKO do caktojë masat për të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka deklaruar se akuzat ndaj tij dhe stafit janë ngritur në bazë të opinionit politik dhe mediatik.

Report Tv ka siguruar dëshminë ku Koka e konsideroi veten si “viktimë” të Berishës dhe Partisë së Lirisë të cilën e etiketon si "partiçkë e vogël".

“Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”- është shprehur ai.

Ora 10:29
VIDEO/ Në akuzë për shpërdorim detyre për inceneratorin e Tiranës, Etleva Kondi mbërrin në SPAK

 

Etleva Kondi, e cila është në ‘arrest shtëpie’ për shpërdorim detyre për inceneratorin e Tiranës, ka mbërritur në ambientet e  SPAK.  Etleva Kondi ishte anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit.

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/12/2023 01:25

    Jo Lefter Koka,nuk je viktime as e Berishes,as e LSI,je viktime e vetes tende,per veprimet e vendimet qe ne fund, zgjodhe vete t'i merrje! Edhe sikur te te detyronin,prape e dije /right from wrong/,kujto gjen.Qiriazin e te tjere te ngjashem per integritetin e tyre.

    Përgjigju
  • xXx: 12/12/2023 00:11

    Koka duket si xhepist kurse Alqi kokrra e skuthit...

    Përgjigju
  • Gjergj: 11/12/2023 12:21

    Kjo hajdutèri masive e taksave tè njè populli tè vogèl dhe kjo energji superkriminale, pa as mè tè voglèn brerje ndèrgjegjeje tè administratès shtetèrore, duke filluar nga ministri e deri tek kurtizanet e korridoreve,,tregon se nè Shqipèri,,,,KA MBARUAR SÈ EGZISTUARI TÈ QÈNIT FIGURÈ E PASTÈR DHE PROFESIONALE. TÈ GJITHÈ,,,HAJDUTÈ NÈ PRITJE. Ky kryeministèr qè bèn rolin e lepurit tè paditur nga mesi i pyllit, èshtè njè figurè edhe mè e shkundur se sa kèto larot e tij, qè deri dje i mbante si hajmeli nè gji, ndèrsa sot i kujtohet se pèrgjegjèsia qènkèsh personale. Mos more filozof,,,kujton se po flet me Manastirliun. Pèr çfarè qènkèshin organet e sigurisè dhe institucionet qè ofrojnè informacion pranè zyrès sè kryeministrit? Gjithè Shqipèria e di qè hajdutèt e Ramès po pallohen duke vjedhur, vetèm Rama filozofi, nuk di gjè?

    Përgjigju
    • Or tej: 11/12/2023 16:10

      Per sa kohe populli i jep voten ata shume mire na e bejne or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Starlink në Kosovë, Kurti: Hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale

Starlink në Kosovë, Kurti: Hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale