Inceneratori i Tiranës, Veliaj: Bashkia ka qenë korrekte me procedurat ra alibia e opozitës! Kush ka bërë gabime të mbajë përgjegjësi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se Tirana do të vijojë të jetë një qytet i pastër. Duke folur në Report TV për kalimin e landfillit te Sharres nën administrimin shtetëror, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka zbatuar ligjin dhe ka respektuar të gjitha procedurat. 

“Qartazi ajo që kuptuam dje eshte se administratori shtetëror do të vijojë të respektojë kontratën. Siç e patë, kërkoi pagesat, pra nuk do t’i bjerë njeri qylit dhe nuk do të shpartallojmë një investim publik, që është për pastrimin e qytetit. Nëse në këtë proces dikush ka bërë gabime, të mbajë përgjegjësi një më një. Por, di të them se Bashkia e Tiranës është treguar korrekte. Jemi një nga Bashkitë kliente; pra përveç bashkive të qarkut dhe të Durrësit, jemi gjashtë bashki.

Jemi vërtet klienti më i madh dhe natyrisht që, kemi dhe detyrimet më të mëdha për pastrimin e qytetit. Por në këtë fazë, administrimi shtetëror heq dhe të gjitha ato spekulime se kujt po i shkojnë paratë. Qartazi, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra: kush mendon se vihet në pushtet duke gënjyer dhe duke predikuar Tiranën e zhulit, duhet të kujtojë që ajo Tiranë nuk do të kthehet më. Tirana e plehrave kapicë, e zhulit dhe e një vendi pa zot, nuk do të kthehet më. Sot me administratorin shtetëror kemi vendosur këtë raport të ri”, tha Veliaj. 

Kreu i Bashkisë u shpreh se edhe nga deklarata e administratorit të ri të landfillit kuptohet që procedurat e ndjekura kanë qenë konform ligjit.

“Ajo që dëgjuam nga administratori ishte që jo vetëm që nuk kemi patur zell të tepërt, por kemi qenë mbrapa me pagesat. Kjo është një gjë financiare, por ajo që kuptuam është se marrja në administrim nga shtetii nuk do të thotë se kjo është falas e do të shkojë për skrap e ne do t’i biem qylit. Fakti që administratori shtetëror, që në diten e parë që merr detyrën, kërkon pagesat do të thotë që do respektojë atë kontratë kushdo të jetë administrator. Territori aty është pronë shtetërore, jo e bashkisë, jo e qytetit, e Ministrisë së Ekonomisë.

E gjithë alibia që duhet të mblidhet Këshilli Bashkiak për tokën bie poshtë sepse, siç e tregoi dhe administratori, ajo është një tokë shtetërore, nuk ka pasur nevojë t’i kërkohet leje bashkisë për një tokë që gjithmonë e ka pasur shteti, e ka pasur Ministria e Ekonomisë në listën e aseteve. Ne kemi zbatuar ligjin. Gjithmonë kemi bërë pagesat tonë siç i bënim më përpara. Detyra e prokurorit është e prokurorit, detyra e gjyqtarit është e gjyqtarit. Kush ka bërë gabime në këto procedura duhet të mbajë përgjegjësi. Detyra e kryetarit të bashkisë është të pastrojë qytetin. E kemi bërë pa rritur taksën që është sic ka qenë në kohën e Edit kryebashkiak,” theksoi Veliaj.


Lajmi kryesor:

Kulla ‘Mali i Tiranës’ ‘shpërblim’ për Berishën? Veliaj për Report TV: Naivitet, nuk biem në dashuri me dhunuesit e shqiptarëve


M.T/S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja