Një fluturim i kompanisë ajrore Ryanair, që ishte nisur nga Selaniku i Greqisë me destinacion Memmingenin në Gjermani, u detyrua të kthehej në aeroport pak pas ngritjes, për shkak të një incidenti që shkaktoi çpresionim të kabinës, pas dëmtimit të dritares së avionit.

Sipas faqeve të specializuara për monitorimin e fluturimeve, avioni u ngrit në orën 06:12 sipas kohës lokale dhe u rikthye në Aeroportin e Selanikut rreth orës 07:09.

‘Ryanair’ konfirmoi ngjarjen, duke bërë të ditur se një pasagjer kërkoi ndihmë mjekësore pas uljes. Kompania nuk dha detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Sipas raportimeve të mediave greke, pasagjeri, i identifikuar si një 61-vjeçar nga Serbia, u dërgua në Spitalin Universitar AHEPA në Selanik. Ai iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, përfshirë një skanim CT, ndërsa raportohet se kishte pësuar djegie nga fërkimi, dhimbje në qafë dhe ishte në gjendje shoku. Tre persona të tjerë u trajtuan për lëndime të lehta dhe u larguan nga spitali menjëherë pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, të cituara nga transmetuesi publik grek ERT dhe agjencia gjermane DPA, gjatë fluturimit u dëmtua një dritare e avionit, duke shkaktuar humbje të shpejtë të presionit në kabinë (humbje të oksigjenit) dhe aktivizimin e maskave të oksigjenit. Disa raportime fillestare pretendojnë se dëmtimi mund të jetë shkaktuar nga mbeturina të motorrit, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas kthimit në Selanik, Ryanair vuri në dispozicion një avion tjetër për të transportuar pasagjerët drejt Memmingenit. Fluturimi zëvendësues u nis në orën 09:53 sipas kohës lokale.

Të dhënat e FlightAware tregojnë gjithashtu se i njëjti avion, me regjistrimin 9H-QEU, një ditë më parë kishte ndërprerë një fluturim nga Selaniku drejt Sarajevës, duke u kthyer në aeroport pasi kishte arritur mbi hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Nuk dihet nëse dy incidentet kanë lidhje mes tyre.

Shkaqet e incidentit të së premtes mbeten nën hetim dhe autoritetet nuk kanë publikuar ende një raport zyrtar mbi atë që ndodhi gjatë fluturimit.