SHKODER -Shkodra ka përkujtuar këtë të shtunë, 77 vjetorin e Lëvizjes antikomuniste të Postribës. Për herë të parë pas 32 vitesh, një kryebashkiak i majtë ka nderuar këtë datë përkujtimore në nderim të të rënëve në vitin 1946 në lëvizjen kundër regjimit komunist.

Kryebashkiaku Benet Beci ka vendosur kurora me lule pranë memorialit që ndodhet në njësisë administrative të Postribës.

Por ky përkujtim nuk ka kaluar pa incidente. Bardh Shaba, familjar i të rënëve në Lëvizjen antikomuniste të Postribës pas ceremonisë së vendosjes me kurora me lule nga kryebashkiaku Benet Beci, ka shkuar pranë momorialit dhe ka hedhur në rrugë kurorat e vendosura.

"Më pushkatuan gjyshin tani vijnë t'i vendosin kurorë.Benet nuk ke nevojë të vish" i thotë qytetari kryebashkiakut me zë të lartë.

Rreth orës 10-të´, në Postribë kanë mbërritur përfaqësues të shoqatës “Postriba”  dhe të Partisë Demokratike të cilat kanë përkujtuar çdo vit këtë datë.Kreu i shoqatës Faz Shabaj, në fjalën e tij ka falenderuar kryebashkiakun Benet Beci për prezencën e tij dhe përkujtimin e kësaj.

Ndërkohë Bardh Spahia, ish kryetar i Bashkisë Shkodër, në fjalën e tij vuri theksin tek aksioni politik I opozitës dhe nevoja për rrëzimin e qeverisë.

Më 9 shtator të vitit 1946, mbi 150 burra të Postribës, Shkodrës e Gurit të Zi kundërshtuan instalimin e regjimit komunist. Mbahet mend si revolta e parë antikomuniste, me përmasa të mëdha në Shqipëri. Një pjesë e protagonistëve dhanë jetën për vendin, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve të errëta e diktaturës komuniste.