ITALI - "Unë isha kundër që marinarët e akuzuar për vrasjen e dy peshkatarëve indiane të riktheheshin në Indi, por nuk jam dëgjuar”.

Me këtë fjalim ministri i jashtëm Italian Guido Terzi ka dhënë dorëheqjen, në takimin urgjent në Dhomën e Deputetëve për çështjen e dy marinarëve nga San Marco të cilët mbahen në Indi pasi akuzohen për vrasjen e dy peshkatarëve indianë vitin e kaluar.

Ai tha se nuk është dakord me qeverinë për rikthimin e marinarëve.

“Unë jap dorëheqjen sepse për 40 vjet kam mbajtur dhe mbaj edhe sot në një mënyrë akoma më të fortë qëndrimin që duhet mbrojtur nderi i vendit, i forcave të armatosura dhe diplomacisë italiane.
Është qesharake që Ministria e Jashtme si ka dhënë shumë rëndësi kësaj çështje. Akuza kundër marinarëve italianë që kanë qëlluar dhe vrarë dy peshkatarët indianë nuk është vërtetuar nga prova të besueshme. Ndërsa për vendimin e gjykatës indiane për imunitetin e ambasadorit italianë është interpretuar si një akt i hakmarrjes që ka minuar legjitimitetin e qeverisë së Indisë ne jemi përballë një shkelje të Konventës së Vjenës ", tha Terzi.

Marrëdhëniet mes Italisë dhe Indisë u tensionuan për shkak të mospajtimit në rritje lidhur me fatin e dy marinarëve italianë të akuzuar për vrasjen e dy peshkatarëve të Indisë, vitin e kaluar.

Ata u lejuan nga një gjykatë indiane që të ktheheshin në atdhe për Krishtlindje dhe për të votuar në zgjedhjet e shkurtit dhe për t’u rikthyer sërish, por Italia njoftoi se gjykimi ndaj tyre do të zhvillohet në Itali.

Ndërkohë Gjykata Supreme indiane ka njoftuar se automatikisht ambasadori italian në New Delhi ka humbur imunitetin diplomatik, duke humbur çdo besim tek ai pasi ka firmosur dokumentet e kthimit në Indi të dy marinarëve.

Më 2 prill është parashikuar seanca tjetër gjyqësore për marinarët italianë ku do të jetë i pranishëm avokati ligjor i ambasadës dhe jo ambasadori italian Daniele Mancini, për të cilin është vendosur urdhri që të mos largohet nga territori indian.

Redaksia Online
(l.c/Gre.M/Shqiptarja.com)